Prapaskena

Vendimi që trondit zyrtarët, SPAK e BKH akses të plotë për të kontrolluar lëvizjet e parave të dyshimta në llogaritë bankare

Publikuar: 09/07/2021

Ngushtohet laku për pushtetarët e korruptuar dhe për cilin do që qarkullon para të dyshimta në sistemin bankar. Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një vendim, i cili u jep SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit që të kenë akses të përhershëm, për t’u futur dhe verifikuar në çdo kohë të gjitha llogaritë bankare në regjistrin qendror si dhe në kasafortat. Sipas vendimit, akses të plotë në llogaritë bankare do të kenë edhe Shërbimi Informativ i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Prokuroria e Përgjithshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Ndërkaq, akses në llogaritë bankare dhe kasafortat, do të jenë, por me kufizime, edhe ILDKP-ja, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme të Doganave si dhe drejtoritë e taksave dhe të tarifave pranë njësive të qeverisjes vendore. Ndërkaq, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të garantojë funksionimin e regjistrit të llogarive bankare dhe të kasafortave, duke përditësuar çdo lëvizje të parave. Hyrja në këtë regjistër do të bëhet nga SPAK dhe BKH-ja drejtpërdrejtë në mënyrë elektronike përmes një kodin.

SPAK dhe BKH-ja do të paraqesin një kërkesë për t’u pajisur me kodin e hyrjes në regjistër tek Drejtoria e Tatimeve, bashkë me të dhënat e personave të autorizuar prej tyre për të pasur akses në llogaritë bankare. Personat e autorizuar duhet të jenë prokurorë ose hetues të BKH-së, pjesa tjetër e administratës nuk lejohet. Aksesi në llogaritë bankare është një tjetër armë e fortë në duart e SPAK dhe BKH për të goditur korrupsionin dhe pastrimin e parave në Shqipëri.



Më të lexuarat