Adriatik Doçi (Shqiptarja.com)
Trupa aktuale gjykuese e Gjykatës Kushtetuese është produkt i reformës në drejtësi, një nga investimet dhe angazhimet për më të mëdha dhe serioze të SHBA-BE në Shqipëri.
Reforma në drejtësi, nga ana tjetër, është një nga proceset transformuese më të sulmuara dhe të luftuar nga opozita shqiptare për pesë vite me radhë, duke krijuar bashkë me një grup gjyqtarësh dhe prokurorësh, edhe atë që konsiderohet si fronti kundër reformës.
Fillimisht fronti kundër reformës është udhëhequr nga Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Partia Demokratike, në koordinim me ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Shoqatën e Gjyqtarëve, krerët e drejtësisë së vjetër që u rrëzuan nga Vetingu, segmente mediatike etj., si dhe me mbështetjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim në prapaskenë.
PD-ja dhe gjyqtarët u bashkuan duke kundërshtuar ligjin e Vetingut dhe ligjet e tjera bazë të reformës në Komisionin e Venecias, Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatën Kushtetuese.
Pas dështimit të betejës ligjore për rrëzimin dhe deformimin e reformës në drejtësi, nisi një fushatë akuzash kundër procesit të Vetingut dhe organeve të reja të drejtësisë.
Pas vitit 2017 dhe në vijim, luftën kundër reformës në drejtësi po e udhëheq Ilir Meta, në koordinim me Sali Berishën. Ilir Meta e ka konsideruar reformën në drejtësi si një komplot ndërkombëtar, si konspiracion sorosian, si produkt i organizatave mafioze ndërkombëtare, si Ramaformë, puç shteti etj.
Por, në harkun kohor prej 4 muajsh, Gjykata Kushtetuese, ka marrë 7 vendime të rëndësishme kundër qeverisë dhe mazhoancës, duke rrëzuar kësisoj akuzën kryesore të PD-LSI-së për kapjen e reformës dhe rrjedhimisht të drejtësisë.
–Në 16 shkurt 2021, Gjykata Kushtetuese rrëzoi skemën e kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve, parashikuar në ligjin e vitit 2015, miratuar nga maxhoranca aktuale. Kushtetuesja shfuqizoi dy pika të nenit 7 të ligjit, që parashikonin metodologjinë e vlerësimit të tokës së kthyer ish-pronarëve në raport me të gjithë sipërfaqen që i është njohur me vendime, si dhe duke hedhur poshtë kufirin maksimal financiar prej 100 mijë USD për kompensimin financiar. Gjykata detyron qeverinë dhe Kuvendin të miratojnë një formulë tjetër për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve.
–Në 9 mars 2021, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pjesërisht urdhrin nr. 633, datë 17.11.2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, për masat kufizuese kundër covid-19. Gjykata detyroi Ministrinë e Shëndetësisë që të vendoste një afat për aplikimin e masave kufizuese. Sipas gjykatës, masat kufizuese pa afat shkelnin të drejtat e njeriut.