Edmond Karriqi, prokuror dhe drejtues i Prokurorisë së Kukësit, është arrestuar dje në mes të qytetit të Kavajës bashkë me sekretarin e Prokurorisë së Kavajës Isuf Gega, pasi akuzohen për “Korrupsion”.
Mësohet se prokurori Karriqi prej kohësh ishte në përgjim dhe vëzhgim nga Prokuroria Speciale SPAK, sepse kishte dyshime se ai merrte para për të liruar persona nga burgu. Në këtë rast, ai është kapur në flagrancë teksa merrte para nga vëllai i një personi të arrestuar për drogë.
Prokurori kavajs por i komanduar me detyrë në Kukës, në një episodë të fundit i ka marrë 2 mijë euro vëllait të një personi të kapur për drogë dhe që aktualisht ndodhet në burg. Ky rast është i filmuar pasi magjistrati ka qenë nën vëzhgim dhe survejim nga oficerët e Prokurorisë.
Megjithatë, prokurorët e posaçëm kanë dyshime të arsyeshme se, prokurori Edmond Karriqi ka marrë dhe më parë para nga vëllai i personit të lartpërmendur. Ai ka qenë në shoqërinë e sekretarit Isuf Gega kur është arrestuar, me këtë të fundit që sipas burimeve, bëhet me dije se shërbente si sekser i Edmond Karriqit.
Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.46, datë 30.06.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:
– Caktimi ndaj shtetasit Edmond Kariqi të masës së sigurimit personal shtrënguese “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” të parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
– Caktimi ndaj shtetasve Isuf Gega, D.D. dhe E.B. të masës së sigurimit personal shtrënguese “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penal, si të dyshuar se kanë kryer veprën penal “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.
Pas arrestimit Policia ka bërë edhe kontrolle në banesën e prokurorit, por për këtë fakt nuk ka informacione se çfarë është gjetur. Pas disa orësh në Kavajë, Edmond Karriqi është sjell në Drejtorinë e Policisë së Tiranës nga një patrullë e “Shqiponjave”.