Arrestohen Hasan Ferracaku 54 vjeç dhe Elmilind Dyli 17-vjeç, të cilët mbetën të plagosur nga përplasja me armë zjarri në Velipojë ku u vranë Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38-vjeç dhe Musaen Zeneli 20 vjeç, pas një konflikti për disa metra territor plazh mes anëtarëve të 2 familjeve pronarë hotelesh, Ferracaku dhe Gocaj.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim Abedin Verracaku 30, Shyqyri Verracaku 26 dhe Besar Verracaku 20 vjeç, 3 djemtë e të plagosurit që u arrestua, Hasan Ferracaku. 3 vëllezërit janë të dyshuar si bashkautorë në këtë ngjarje, dhe akuzohen për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.
Gjatë kontrolleve nga policia është gjetur pistoleta e dytë e përdorur gjatë përplasjes, në hotelin e familjes Gocaj. Pistoleta e parë është gjetur në vendin e ngjarjes.
Gjithçka nisi si një debat mes vëllezërve Ferracaku dhe atyre Gocaj për pjesën e shezlongëve në plazh, por përfundoi në një masakër. Sherri degradoi në përdorimin e armëve dhe mbetën të vrarë 4 persona, Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38-vjeç si dhe 20 vjeçari Myzerim Zeneli, një jetim i cili ishte në ditën e parë të punës.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera grupi i posaçëm hetimor, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, ku si pasojë e një konflikti të çastit mbetën të vrarë me armë zjarri 4 shtetas dhe u plagosën 2 të tjerë, bazuar në provat e grumbulluara u arrestuan në flagrancë shtetasit:
H. V., 54 vjeç, lindur në fshatin Trush dhe banues në fshatin Pulaj, Velipojë, si dhe nipi i tij shtetasi E. D., 17 vjeç, lindur e banues në fshatin Guri i Zi, bashkia Shkodër, të cilët janë në Spitalin e Traumës në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit A. V., Sh. V. dhe B. V., vëllezër, banues në fshatin Pulaj, Velipojë, bashkia Shkodër, të dyshuar si bashkautorë në këtë ngjarje, për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, njëra prej të cilave u gjet në vendngjarje, ndërsa tjetra u gjet gjatë kontrollit në hotelin e familjes Gocaj.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin me armë. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.