Ajtanga Lubonja, aktiviste dhe një qytetare e angazhuar në një sërë çështjesh sociale është ndarë sot nga jeta. Lajmi është publikuar nga familjarët e Lubonjës, të cilët kanë marrë në menaxhim profilin e saj në Facebook.
POSTIMI NË FACEBOOK:
Te nderuar miq, Me hidherim te thelle ju njoftojme se njeriu yne i dashur Ajtanga Lubonja u nda nga jeta sot ne mengjes! Varrimi behet sot ne oren 15:00 ne varrezat e Tufines.! Faleminderit te gjitheve atyre qe duan te ndajne dhimbjen me ne! Nisja behet ne oren 15:00 drejt varrezave te Tufines,nga shtepia ne rrugen Fortuzi! Me respekt nga familja”.
Kush është Ajtanga Lubonja? E njohur si një ish e përndjekur politike gjatë regjimit komunist, Ajtanga Lubonja ishte iniciatore dhe nxitëse e një sërë kauzash të rëndësishme. Prej vitesh ajo jetoi në konviktet e Qytetit Studenti me një pension prej 16 mijë lekësh të reja. Sa herë që kushtet ekonomiken rëndoheshin, ajo apelonte për ndihmë në rrjetet sociale dhe media.Edhe pse e përndjekur politike gjatë regjimit komunist, aktivistja Ajtanga Lubonja nuk u trajtua asnjëherë me pension special. Kërkesa e saj, iu drejtua përgjatë gjithë jetës të gjithë institucioneve dhe krerëve të politikës. Majtas e djathtas, para vdekjes, Ajtanga Lubonja kërkoi ndihmë pasi pensioni prej 16 mijë lekë të reja nuk i dilte, por thirrjet e saj ranë në vesh të shurdhët. Sot ajo u nda nga jeta, 25 vite pasi jetoi në një nga dhomat e konvikteve në Qytet Studenti.
“Unë po vdes në një dhomë të mjerë konvikti, ku jetoj prej 25 vitesh e sëmurë dhe nuk kam mundësi kurimi…se ne na japin ilaçe të skaduara që të pasurohen politikanet tanë! Jetoj me nje PENSION MINIMAL, kërkova “PENSION SPECIAL” sepse i kam shërbyer vendit tim sa ta meritoj këtë pension”- shkruante ajo në dhjetor të 2016.
LETRA PARA VDEKJES:
Z.Bujar Nishani, President i Republikës të Shqipërisë
Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës të Shqipërisë
Z.Donald Lu, Ambasador i SHBA në Republikës e Shqipërisë
Tiranë, 6.07. 2016
Jam Ajtanga Lubonja, qytetare e Republikës të Shqipërisë, 68 vjeç, banuese ne Tirane, e Persekutuar Politike, e dënuar me damkën e egër si “Armike e Popullit”!
Të nderuar Zotërinj,
Për funksionet qe mbani, jeni shpresa e çdo qytetari!
Duke provuar te gjitha rruget ligjore, duke trokitur ne çdo institucion qe presupozohet te zgjidh problemet e popullit dhe duke mos marre asnje zgjidhje…
vendosa t’Ju drejtohem!
Trajtimi i të Persekutuarëve Politikë dihet boterisht se ne çfare permasa shnjerezore eshte trajtuar dhe vazhdon te trajtohet!
Kam 25 vjet qe vetem pres!
Sot jam e lenë në harresë nga shteti im në një kohë kur ngrihen në piedestal KRIMINELË, HAJDUTË, OLIGARKË!
Vuajtjet dhe ulërimën e popullit nuk e degjon askush!
Vjedhja, korrupsioni na kanë mbuluar…
boll me spektakle sikur po luftoni per POPULLIN!
Diçka njerezore ju kam kerkuar…atë që më takon “Rehabilitimin dhe kompensimin e të Persekutuarit” për vuajtjet që kemi hequr që edhe kur t’i zhdëmtoni 100 % nuk zhdëmtohen dot kurrë!
Prindërit më vdiqën me buzë të plasur e në varfëri (vetëm një këst mori babai i shkretë dhe vdiq)!
Nëna ime e bija e Et’hem Totos, burrë shteti, patriot e Ministër i Brendshëm në vitete 1935-36, vdiq po ashtu,
ne bijtë po plakemi në varfëri të plotë,
unë po vdes në një dhomë të mjerë konvikti, ku jetoj prej 25 vitesh e sëmurë dhe nuk kam mundësi kurimi…se ne na japin ilaçe të skaduara që të pasurohen politikanet tanë!
Jetoj me nje PENSION MINIMAL,
kërkova “PENSION SPECIAL” sepse i kam sherbyer vendit tim sa ta meritoj këtë pension!
Emri i familjes LUBONJA e thotë;
emri i Familjes TOTO e thotë!
Kam qenë në ball të lëvizjes per Demokraci, kam marrë pjesë në Nisma ku jam dënuar me vdekje; isha pjesë e Lëvizjes për rrëzimin e Fullanit! Por Fullani po zhdëmtohet, po kërkon miliona, ndërsa unë vazhdoj të jem “Armike e Popullit”, sepse pensionet speciale dhe privilegjet vazhdojnë t’u jepen komunistëve, spiunëve, lakejve! Ju kërkon ndihmë! Ndihmoni! Me respekt, Ajtanga Lubonja.