Prapaskena

Skandal / Lulzim Basha “zhduk” Majlinda Bregun nga Partia Demokratike

Publikuar: 24/06/2021

Ndonëse një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Demokratike ndër vite, sot ish ministrja e Integrimit në qeverinë Berisha 2, Majlinda Bregu nuk figuron as në listat e anëtarësisë së Partisë Demokratike.

Ky fakt është konfirmuar nga vetë Bregu, teksa u pyet në një interviste për Vizion Plus të komentonte rizgjedhjen e Lulzim Bashës për herë të tretë në krye të PD.

Ajo tha se në ditën e zgjedhjeve të PD i rezultonte që edhe në seksionet e PD nuk figuronte më si njeri i Partisë Demokratike.

“Nuk kam çfarë të mendoj më asgjë për situata të cilat i kam patur të qarta edhe vite më parë. Por bën mirë që ta bësh këtë pyetje edhe në PD, sepse unë nuk e kam parë veten në asnjë vend si anëtare e PD, as për të votuar.

Madje në ditën e zgjedhjeve në fushatën zgjedhore më rezultonte që edhe në seksionet e PD nuk figuroja më si njeri I partisë demokratike. Kështu që më mirë pyet në pd se ku e kanë listën e anëtarësisë dhe ku  i kanë anëtarët”, tha Bregu.

Majlinda Bregu prej tre vitesh mban postin e drejtueses se këshillit te bashkëpunimit rajonal. Përpara se të merrte këtë post të rëndësishëm, ajo ishte një prej zërave të shumtë kritike brenda PD-së, kundrejt kryetarit Basha.

Gjatë fushatës së zgjedhjeve të 13 qershorit, Basha është akuzuar për garë të pabarabartë,  ndërsa nga disa demokratë kanë deklaruar publikisht se ka hequr nga lista 28 mijë anëtarë. Si duket, mes tyre është edhe Majlinda Bregu.



Më të lexuarat