Këshilltarët e Këshillit Bashkiak të Vlorës, kërkojnë mbajtjen e një tjetër mbledhje, me prezencë fizike të kryebashkiakut Dritan Leli. Ata kërkojnë që mbledhja të mbahet jashtë radhe në datë 22 qershor, dhe personat që penguan mbledhjen e datës 15 qershor të mbajnë përgjegjësi.
Këshilltarët thonë se kompetencat për caktimin dhe mbajtjen e mbledhjes i kanë ata dhe kryetari ka tejkaluar kompetencat një ditë më parë, kur nuk lejoi zhvillimin e saj.
Referuar shkresës së anëtarëve të Këshillit, ata kërkojë mbledhje urgjente më datë 22 qershor, transparencë për ata që penguan mbledhjen më 15 qershor dhe raportim nga kryetari Dritan Leli, për problemet e qytetarëve vlonjatë.
Rendi i ditës i mbledhjes urgjente që kërkojnë Këshilltarët e Vlorës:
1. Transparencë mbi vendimet e marra dhe urdhëruesit e pengimit të Këshillit Bashkiak për kryerjen e detyrës së tij, në mbledhjen e parashikuar për tu zhvilluar më datën 15 qershor 2021.
Dalja e përgjegjësisë për personat që penguan zhvillimin e mbledhjes dhe tejkaluan kompetencat ligjore.
2. Raportim i Kryetarit të Bashkisë në lidhje me shqetësimin e komunitetit vlonjat për gjendjen e shërbimeve vendore, situatën e shërbimeve bazike të pastrimit, mirëmbajtjes, ndriçimit etj, si dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve.
Kujtojmë se, anëtarët e Këshillit Bashkiak të Vlorës kërkuan në fillim të këtij muaji që të kenë një takim me kryebashkiakun Dritan Leli, ku të pranishëm të jenë deputetët e qarkut, mes tyre dhe kryeministri Edi Rama.
Por, ditën e djeshme kryebashkiaku Leli i ktheu përgjigje Këshillit të Bashkisë, duke i njoftuar se mbledhja duhet të zhvillohej online, pasi grumbullimet janë të ndaluara prej pandemisë.