Edhe pse vendi ynë konsiderohet një vend me rrezik të ulët nga pandemia, kufijtë me vendet e BE-së vijojnë të jenë të mbyllur. Por kësaj herë penalizuese nuk është situata pandemike apo shifrat e infeksionit, që prej javësh janë në nivele të ulëta, por vaksina.
Bashkimi Europian nuk njeh vaksinën kineze “Coronavac”, duke penalizuar me mijëra qytetarë që duan të udhëtojnë në një nga vendet e BE-së.
VENDIMI I FRANCËS
Franca ka njoftuar një ditë më parë se prej së mërkurës do të lejojë hyrjen e shqiptarëve me pasaportë biometrike dhe që kanë bërë një nga vaksinat “Pfizer”, “Moderna”, “AstraZeneca” dhe “Johnson & Johnson”, si dhe janë të pajisur me test PCR. “Franca, nga sot (dje) lejon hyrjen e udhëtarëve shqiptarë me pasaportë biometrike, që kanë bërë vaksinat ‘Pfizer’, ‘Moderna’, ‘AstraZeneca’ dhe ‘Johnson & Johnson’, si dhe janë të pajisur me test PCR.
Franca lejon hyrjen e udhëtarëve shqiptarë me pasaportë biometrike vetëm nëse janë vaksinuar dhe udhëtarët paraqesin gjithashtu edhe testin PCR të 72 orëve të fundit ose antigjen të 48 orëve të fundit.
Vaksinat e pranuara nga Franca janë ato të njohura nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA): ‘Pfizer’, ‘Moderna’, ‘AstraZeneca’ dhe ‘Johnson & Johnson’”, thuhet në njoftim.
Kjo do të thotë që njihen vetëm vaksinat e certifikuara nga rregullatorët europianë. Vaksina kineze “Coronavac”, e cila ka nisur të aplikohet masivisht në vendin tonë, nuk është në listën e vaksinave të certifikuara.
Në listë nuk është përfshirë as vaksina ruse “Sputnik”, e cila po ashtu nuk ka marrë “bekimin” nga Agjencia Europiane e Barnave. Por jo vetëm kaq, janë përcaktuar po ashtu kritere specifike për të vaksinuarit.
“Prova e vaksinimit është e vlefshme nëse lejon të vërtetohet përfundimi i një kohe të plotë të vaksinimit, përkatësisht: 2 javë pas injeksionit të 2-të për vaksinat me injeksion të dyfishtë (‘Pfizer’, ‘Moderna’, ‘AstraZeneca’); 4 javë pas injeksionit për vaksinat me një injeksion të vetëm (‘Johnson & Johnson’); 2 javë pas injeksionit për vaksina te njerëzit me histori të Covid-19 (kërkohet vetëm 1 injeksion)”, theksohet më tej në njoftim.
Por pavarësisht këtyre kufizimeve, Shqipëria bën pjesë në listën e vendeve me ngjyrë portokalli, domethënë me rrezik të ulët infektimi. Për ata që nuk janë vaksinuar, masat kufizuese vazhdojnë të mbeten në fuqi. Qytetarët e pavaksinuar, duhet të udhëtojnë vetëm për arsye esenciale (për të shkuar te bashkëshorti/bashkëshortja apo prindërit të udhëtojnë te fëmijët me leje qëndrimi në Francë, e studentët për motive studimi).
Edhe kjo kategori udhëton me testin PCR të 72 orëve të fundit ose antigjen të 48 orëve të fundit.
VAKSINIMI
Janë mbi 809 mijë persona në vendin tonë që kanë marrë vaksinën anti-Covid, por pjesa më e madhe prej tyre janë vaksinuar me “Coronavac”.
“Ka vijuar vaksinimi masiv me kalendar të kombinuar, për personat mbi 60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike. Në 24 orët e fundit janë kryer 6310 vaksinime dhe prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 809,992 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre, 315,555 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
BE hap kufijtë për të vaksinuarit, miratohet certifikata dixhitale
Parlamenti Europian miratoi të mërkurën “Green Pass”, certifikatën dixhitale që do të lehtësojë udhëtimet brenda unionit duke kontribuar në rimëkëmbjen ekonomike.
Efektet do të nisin duke filluar nga data 1 korrik, çfarë do të thotë se duke nisur nga muaji tjetër të gjithë të vaksinuarit, pra personat që kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-Covid, mund të udhëtojnë lirisht brenda unionit.
Certifikata e pajisur me një kod identifikues do të lëshohet falas nga autoritetet kombëtare dhe do të jetë në dispozicion në formatin dixhital ose letër. Ky dokument që do të shërbejë për të vërtetuar injektimin e të dyja dozaveve të vaksinës do të jetë i vlefshëm për 9 muaj. Por mundësia e lëvizjes nuk do të jetë vetëm për të vaksinuarit, por edhe për ata që e kanë kaluar koronavirusin.
Kështu do të jenë tri certifikata që do të lëshohen. E para do të jetë për të vaksinuarit, tjetra për ata të cilët janë rikuperuar nga infeksioni, si edhe një tjetër për ata që kryejnë testin dhe rezultojnë negativë.
Gjatë seancës së djeshme, eurodeputetët miratuan një marrëveshje që përcakton se shtetet e BE-së nuk do të mund të vendosin kufizime të mëtejshme udhëtimi për mbajtësit e certifikatave, si karantina, vetizolimi ose testimi, përveç nëse ato janë të nevojshme dhe proporcionale për të mbrojtur shëndetin publik.
Kujtojmë që disa ditë më parë, Komisioni Europian u propozoi të gjitha vendeve anëtare të BE-së që gradualisht të lehtësojnë masat e udhëtimit gjatë verës.
Referuar KE-së, njerëzit plotësisht të vaksinuar duhet të përjashtohen nga testimi ose karantina kur udhëtojnë nga një vend i BE-së në një tjetër. Për të tjerët, pra për vendet joanëtare të BE-së, Komisioni Europian ka propozuar që masat të zbatohen varësisht se nga cila zonë arrijnë në BE.