Parlamenti aktual mund të zgjedhë edhe Presidentin e ri të vendit, ja skenari

Pa Kategori

Publikuar: 09/06/2021

Parlamenti aktual mund të zgjedhë edhe Presidentin e ri të vendit, ja skenari

Socialistët nuk e përjashtojnë mundësinë që Presidenti i ri i vendit të zgjidhet po nga Kuvendi aktual dhe jo nga Kuvendi i ri.

Alket Hyseni tha se në varësi të kohës që do të marrë Gjykata Kushtetuese për të dhënë vendimin final mbi shkarkimin ose jo të Metës do të jetë edhe procesi për nisjen ose jo të zëvendësimit të tij në Presidencë.

“Në varësi të kohës se kur merret vendimi mund të parashikohet ky aspekt. Nëse gjykata vendos shpejt, ky parlament fillon procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri, sepse Kushtetuta parashikon që brenda 10 ditësh fillon procesi. Ky proces është strikt kushtetues, sepse hapat janë të përcaktuatra dhe të kushtëzuara”, deklaroi Hyseni gjatë një interviste për Opinion.

Alket Hyseni deklaroi se objekti i Komisionit Hetimor parlamentar për shkarkimin e Ilir Metës nuk ishte verifikimi nëse duhej ndjekur penalisht apo jo, megjithëse përsërit se në raportin e hartuar prej 98 faqesh ka edhe elementë penalë.

“Ne nuk mund të themi ka apo s’ka krime, por nuk ishte objekt i hetimit i Komisionit Hetimor krimi. Aty ka dhe elementë që mund t’i shqyrtojnë organet e hetimit siç janë thirrjet për dhunë dhe nxitja të urrejtjes”, tha ai.