Detaje të reja janë bërë me dije nga ngjarja e rëndë që tronditi vendin mesditën e djeshme.
Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se në lokalin ku ka qenë Kudret Saliaj para se të qëllohej nga ish vjehrri i tij, ka qenë edhe Dhurata, ish-bashkëshortja.
Sipas hetuesve, ajo luante rolin e informatores, duke i rrëfyer të atit lëvizjet e viktimës. Pasi ajo ka njoftuar të atin, Mexhit Picarin, ky i fundit ka ardhur me një armë zjarri tip TT, ka hyrë në lokal dhe ka qëlluar me disa plumba Kudret Saliajn.
Para hetuesve, ajo ka deklaruar se ish-bashkëshorti i saj e kishte kërcënuar se do e vriste.
“Marrëdhëniet me Kudretin i kishim shumë të acaruara. Sa herë unë tentoja të kontaktoja me fëmijët, ai vinte te puna e babit ose në shtëpi dhe na kërcënonte dhe thoshte se do më vriste.
Rasti më i fundit ka qenë para 3 ose 4 ditësh që erdhi në shtëpi në Picar dhe na kërcënoi si familje.
Kur vinte në shtëpi shumicën e herëve i dilte mami dhe përballej me të se mua kishin frikë të më nxirrnin.
Para 1 muaji mami ka marrë urdhër mbrojtje nga ai për 1 vit.
Familja ime ka jetuar nën presion kaq muaj.
Kam shkuar me babain tek gjykata dhe ia kam bërë te qartë Kudretit se unë fëmijët nuk i lë.
Doja të takoja djalin t’i flisja. Aty ndodhi ngjarja”.