AçaiOne një mashtrim kriminal, SHBA urdhëron bllokimin, në Shqipëri shitet për dobësim. Mjekët: Mos u gënjeni, produkti ju shëndosh, ka më pak vlera se sa shega

Pa Kategori

Publikuar: 03/06/2021

AçaiOne një mashtrim kriminal, SHBA urdhëron bllokimin, në Shqipëri shitet për dobësim. Mjekët: Mos u gënjeni, produkti ju shëndosh, ka më pak vlera se sa shega

Një mashtrim kriminal, i organizuar, i shtrirë në të gjithë vendin dhe me pasoja të rënda për xhepin dhe shëndetin e qytetarëve vijon prej muajsh në Shqipëri.

Bëhet fjalë për AçaiOne, i cili reklamohet egërsisht si një produkt që të dobëson, madje duke përcaktuar me numra edhe kilogramët që gjoja të heq brenda një muaj.

AçaiOne në fakt është një skemë mashtrimi që po aplikohet në Shqipëri, për t’u marrë para qytetarëve të pa informuar, të cilët i besojnë një produkti me efekte në shëndetin e tyre, pa u konsultuar me mjekun dhe duke e blerë në mënyrë të pakontrolluar.

AçaiOne nuk ka asnjë bazë shkencore dhe nuk ofron asnjë garanci për dobësim, madje produkti të shton kile, me qëllim për të shtyrë qytetarët për të blerë sa më shumë. 

Disa gjykata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndaluar reklamimin e AçaiOne si një produkt apo tabletë që të dobëson, duke e shpallur produktin si pjesë e një skeme mashtrimi për të grabitur qytetarët amerikanë.

Fillimisht është alarmuar Komisioni Federal i Tregtisë në SHBA, pas mijërave ankesave të qytetarëve që kishin rënë pre e mashtrinit me AçaiOne.

Komisioni ka bërë një verifikim të thelluar, duke konstatuar se efektet dobësuese të pretenduara nga shpërndarësit e AçaiOne, ishin të rreme dhe nuk kishin asnjë bazë shkencore.

Më pas, Komisioni Federal i Tregtisë në SHBA, ka paraqitur provat në gjykatat e disa shteteve. Gjykatat kanë urdhëruar ndalimin e reklamimit të produktit si një mashtrim me qëllim përfitimi.

Nga ana tjetër, specialistët e shëndetit në SHBA-BE kanë konfirmuar se Açai nuk të dobëson.

Ata kanë dalë në konkluzionin se “Acai ka antioksidantë – një substancë për të cilën trupat tanë kanë nevojë – por jo më shumë se boronicë ose qershi, dhe më pak se shegët dhe rrushi”.

Nga ana tjetër është konstatuar se AçaiOne të shton peshën.

Qytetarët, duke konsumuar AçaiOne, nuk zbatojnë këshillat e specialistëve dhe rregullat shkencore pêr të reduktuar peshën.

Duke i besuar AçaiOne dhe duke ngrënë shkujdesur, konsumatorët shtojnë në peshë.

Kur SHBA dhe më pas disa vende të BE kanë ndaluar produktin, skema e mashtrimit ka nisur në Shqipëri, me një fushatë agresive dhe të sofistikuar reklamimi, duke gënjyer mijëra qytetarë.

Kush e ka blerë dhe konsumuar nuk e blen më, pasi e ka provuar vetë mashtrimin.

Qindra qytetarë shqiptarë janë ankuar në inbox, në rrjetet sociale të kompanisë.

Por mesazhet e tyre nuk publikohen.

Në rrjetet sociale të AçaiOne publikohen vetëm disa mesazhe që sajohen nga vetë shpërndarësit, në funksion të vijimit të mashtrimit./Pamfleti