Kandidatët për kryetarë të Partisë Demokratike vijojnë fushatën brenda partisë me takime në terren dhe në dalje televizive. Mbrëmjen të tre kandidatët rivalë të Bashës kanë qenë të ftuar në ‘Zonë e Lirë’
Edith Harxhi ishte shumë e ashpër me kryetarin aktual. Ajo u shpreh se Basha prej vitesh nuk udhëton drejt Amerikës dhe do të ishte e çuditshme nëse nuk do do shpallej “non grata”.
Harxhi përsëriti akuzën e bërë më parë nga ish-Presidenti Nishani që tha se kryetari aktual i PD-së ka pasur dijeni për shpalljen “non grata” të Berishës.
Kandidati tjetër për kreun e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 13 qershorit, Agron Shehaj ka folur për një ftohje me kryetarin aktual Basha. Ai tha se kjo ftohje ka ndodhur që para zgjedhjeve dhe ka pasur lidhje me strategjinë elektorale në zgjedhjet e 25 Prillit.
“Ftohja ka ndodhur para zgjedhjeve dhe ka pasur të bëjë edhe me strategjinë elektorale. Mendoj që largimi nga parlamenti na ka prishur shumë punë. Nëse nuk do ishim larguar Edi Rama nuk do të ndryshonte sistemin zgjedhor”, tha Shehaj.
Ndërsa kandidati i tretë, Fatbardh Kadilli, paralajmëroi një erë të re në Partinë Demokratike pa Lulzim Bashën dhe Sali Berishën.
“Në PD pas këtyre zgjedhjeve do të nisë era e ra pa doktorin dhe pa Lulzim Bashën. Manifestimi im politik sjell një PD të re. Berisha iku, Basha e kreu punën e tij me dështim, do ta heqim”, tha ai