Prapaskena

Arrestohet në Dubai Florenc Çapja, në kërkim për dy vrasje

Publikuar: 29/05/2021

Florenc Çapja, i dyshuar për dy vrasje në qytetin e Elbasanit dhe në Itali, është arrestuar në Dubai.

Ai është arrestuar dy ditë më parë nga Interpol Abu Dhabi pas urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Shqipëria, ndërsa pritet ekstradimi drejt vendit tonë.

Çapja akuzohet për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, në vitin 2012 në Elbasan, dhe për vrasjen e Fadil Memës në 2015-ën në Itali.

Vrasjet dyshohet se u kryen si hakmarrje ndaj ekzekutimit të xhaxhait të tij Sokol Çapja në vitin 2005.

Florenc Çapja është nipi i Ardian Çapjas i arrestuar pak muaj më parë, si i dyshuar për të njëjtën ngjarje. Një vit më parë ai i shpëtoi atentatit me snajper në Elbasan.

Florenc Çapja u arratis në vitin 2019 ditën që do të arrestohej, dyshohet pasi u dekonspirua operacioni i policisë. Ai besohet se gjatë gjithë kësaj periudhe ka qëndruar në arrati në Dubai së bashku me bashkëshorten e tij. Çapja mendohet se u largua nga Rinasi në Stamboll dhe më pas në Dubai.

Vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit

Gentian Beqiri ka qenë dënuar si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005. Ai qëndronte në shtëpinë e tij në Elbasan dhe ruhej nga policia. Si i përfshirë në këtë vrasjes është ekstraduar nga Italia Etien Cani.

Duke qenë se ky i fundit ishte shok fëmijërie me Beqirin, ai u lejua nga efektivët e policisë që të futej në shtëpinë e tij. Aty, u ekzekutuan Gentian Beqiri dhe babai i tij Nezir Beqiri. Po në lidhje me këtë vrasjes, është arrestuar në Greqi në 2020 shtetasi Jorgo Leku.

Jorgo Leku, 41 vjeç, i njohur edhe me tre identitete të tjera si Olsi Leka alias Giorgo Lekou alias Jorgo Lekou është vënë në pranga nga Interpol Athina pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për vrasjen e 15 gushtit 2012.



Më të lexuarat