Nga Idajet Beqiri
Dosja e Izet Haxhisë kundër Sali Berishës, ngjarjet kriminale, faktet, provat e shumta, dokumentet dhe aktet e ndryshme provuese për çdo episod krimi të kryera nga ish Presidenti dhe ish Kryeministri Sali Berisha, të cilën tashmë e disponon BKH, SPAK, është bërë pjesë përbërëse e “Dosjes së Zezë” që Departamenti Amerikan i Shtetit, i përplasi në fytyrë tre ditë më parë, xhelatit dhe exhelit më të madh kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve në 113 vjet shtet shqiptar.
Rihapja e çështjes “Hajdari” përmes rishikimit të procesit të Izet Haxhisë ishte kambana më e fortë e alarmit që ra mbi kokën e Berishës, ishte paralajmërimi serioz për gjëmën e madhe që do t’i vinte shumë shpejt atij dhe gjithë familjes së tij të inkriminuar me krime nga më të rëndat që mund t’i kryhen një vendi, një populli, një shteti dhe institucioneve të tij.
Për këtë shkak, Berisha i hodhi në veprim gjithë strukturat e tij, pjesë përbërëse të grupit të organizuar kriminal, posaçërisht ish Kryetaren e Gjykatës së Tiranës, shoqen e ngushtë të vajzës së tij, me qëllim që çështja e rihapjes së Dosjes “Hajdari”, të binte në duar të sigurta gjyqtarësh, të njohur për besnikëri pa kufi ndaj Familjes Berisha.
Pasi u arrit kjo gjë, u thirrën, u instruktuan, u paguan dhe u hodhën në veprim disa gazetarë, disa analistë dhe disa emisione televizive me qëllim që të mjegullonin, të zvogëlonin, të largonin vëmendjen e faktorëve ndërkombëtarë, të institucioneve të shtetit shqiptar, por edhe të opinionit publik, nga ky proces dhe pritshmëritë e mëdha të tij, pasi pjesa më e egër e krimeve të kryera nga Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij, ndodhen pikërisht në Dosjen famëkeqe “Hajdari”!
Ka dy vjet që ka nisur ky proces dhe masmediat e shkruara, me përjashtim të dy gazetave prestigjioze, njëra prej të cilave Gazeta “Dita”, pjesa dërrmuese e televizioneve kombëtare, me përjashtim të Report TV, e “mbytën” këtë gjykim dhe të vërtetat drithëruese që nisën të shfaqeshin në të.
Banda kriminale e Berishës iu vërsul si bisha edhe organit të akuzës, Prokurorisë Gjyqësore Tiranë, me qëllim që Sali Berisha, Ylli Rakipi, Vili Minarolli, Zenel Neza etj, të mos dilnin para Gjykatës për të dëshmuar për vrasjen e Azem Hajdarit, motivet e saj, personat e interesuar për vrasjen e tij, si dhe për vrasjet e tjera zinxhirë të mbi 200 personave në Tropojë dhe vende të tjera të Shqipërisë, të lidhura direkt dhe indirekt me nxitësin, organizatorin, frymëzuesin, ideatorin, mbuluesin me petkun e pushtetit të lartë shtetëror dhe politik të këtyre krimeve, Sali Berishën.
Fal qenies në krye të këtij organi të një zonje me integritet të lartë profesional, moral dhe atdhetar, Berisha dhe disa bashkëpunëtorë të afërt të tij, u kërkuan nga organi i akuzës që të paraqiteshin para Gjykatës dhe të jepnin dëshmitë e tyre, si pjesa kryesore e të provuarit të akuzës së vrasjes së Azem Hajdarit dhe të mbi 200 personave të tjerë, ku dora, koka dhe e gjithë qenia e Sali Berishës del me rolin më të madh.
Kjo situatë e krijuar bëri që Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij të hidheshin në sulm frontal, me të gjitha mjetet, me qëllim që të mbysnin procesin e rigjykimit. Zenel Neza në Belgjikë, azilant politik, i fshehur atje prej vetë Berishës, jo vetëm që u pagua shtrenjtë, por edhe u shantazhua deri me eliminim fizik sapo të mbërrinte në Tiranë për të dëshmuar të vërtetat e vrasjes së Azem Hajdarit dhe të atyre që i tha dhe e porositi Berisha natën e ngjarjes, në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku ai dergjej për të shëruar plagët e marra ditën e kësaj ngjarje.
Gjyqtarët e Gjykatës së Tiranës u shantazhuan aq keq, sa megjithëse kanë papajtueshmëri të rëndë me detyrën e gjyqtarit në këtë gjykim, për rrjedhojë duhet të jepnin dorëheqjen, Banda e Berishës nuk i lejon ta bëjnë këtë gjë. Ata vazhdojnë me shpirt nëpër dhëmb të bëjnë sikur po e gjykojnë këtë çështje.
Kulmi i shantazhimit të gjyqtarëve ishte kur në muajin mars 2021 atyre iu dha urdhri i prerë që me vendim të përjashtohen nga thirrja si dëshmitarë para Gjykatës, duke krijuar kështu precedentin e njëjtë, si atë të mos ekzekutimit të urdhër arresteve për ngjarjet e 21 janarit, me ndërhyrjen direkte kriminale të Sali Berishës, pasi nuk ka bërë kurrë vaki, as në vendet më arbitrare të botës së tretë, që prokurori, si përfaqësues i akuzës, t’i kërkoj Gjykatës thirrjen e disa dëshmitarëve me të cilën provon akuzën dhe gjykata të refuzoj thirrjen e tyre!
Berisha dhe banda e tij bëri përpjekjet maksimale për të përfunduar një ditë e më parë gjyqi i Izet Haxhisë, ridënimi me të njejtat prova dhe fakte, si më parë, kur procesi u manipulua nga Sali Berisha, me qëllim që të mos delte ai si personi kryesor që e nxiti, që e nxorri në pritë, që ishte i vetmi person që përfitoi prej kësaj vrasje dhe që e fshehu dhe e manipuloi të vërtetën e këtij krimi të rëndë.
Një gjë të tillë e bëri me synimin e vetëm që të merrte një vendim të dytë penal nga Gjykata, për t’a përdorur si kartë për gjoja “pafajësinë” e tij në vrasjen e Azem Hajdarit. Nga ana tjetër, me këtë akt përshpejtimi të gjykimit dhe të ridënimit të Izet Haxhisë, kryebanditi Sali Berisha donte të zhvleftësonte dosjen që SPAK ka formësuar kundër tij për kryerjen e një numuri të konsiderueshëm krimesh, dëshmitari okular, njeriu më i afërt dhe më i besuar i tij, Izet Haxhia.
Falë punës me përkushtim, me nivel të lartë profesional, falë punës së guximshme, duke përballuar gjithë “çetën” kriminale të Berishës që u hodh në sulm me të gjitha mjetet, deri edhe me këtcënime për jetën, mbrojtja ligjore e Izet Haxhisë arriti që me “artifice” procedurale, të mos lejojë përfundimin e këtij gjykimi, para daljes së Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit kundër Berishës dhe Familjes së tij, të cilët përmes një rezumeje koncize juridike e politike, jo vetëm e vendosin Berishën në Listën e Zezë, por edhe i japin atij në dorë thelbin e akuzave nga më të rëndat penale që rëndojnë mbi të dhe mbi bashkëpunëtorët e tij.
Dosja e dorëzuar në SPAK prej Izet Haxhisë është pikënisja e asaj që pritet të ndodhë këto ditë mbi Berishën dhe familjarët e tij, për të pasuar me të tjerat që do varrosin përfundimisht regjimin e krimeve barbare 30 vjeçare të një bande kriminale shtetërore, e cila i ka bërë dëme të pallogaritshme jetës së njeriut, ekonomisë, drejtësisë, demokracisë, shtetit ligjor dhe vet shtetit shqiptar.