Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të nis hetimet për dy vartëse të tij, prokuroren Belina Zeneli dhe Xhoana Mehmetaj.
Sipas Çelës, nga veprimet që ai ka kryer, ka konstatuar se dy prokuroret që aktualisht ushtrojnë detyrën në Prokurorinë e Dibrës, kanë zvarritur proceset gjyqësore që kanë pasur në shqyrtim. Prokurorja Belina Zeneli është një prej magjistrateve që ka hetuar Dosjen 184, për shitblerjen e votave në Dibër në zgjedhjet e vitit 2017.
Gjithashtu, kryeprokuori në kërkesën e tij për hetimin e e dy vartseve, thotë se ato kanë shkelur Kodin e Procedurës Penale dhe kanë bërë shkelje individuale gjatë ushtrimit të detyrës.
Nuk dihet specifikisht se për cilat raste janë bërë këto konstatime nga Kreu i organit të akuzës, por ai ka kërkuar që veç dy vartsese të sipërpërmendura, pjesë e inspektimit të ILD-së të jetë dhe prokurori tjetër i Dibrës Rifat Kojku.
“Të hetohet sesi kanë ushtruar kompetencat” ka kërkuar Çela nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Prokurorët Rifat Kojku dhe Belina Zeneli kanë qenë pikërisht prokurorët që kanë drejtuar hetimet për dosjen e bujshme të shit-blerjes së votave në Dibër, e quajtur Dosja 184.