Prapaskena

Historia e pazakontë e shqiptarit, si ja vodhën 15 mijë euro në kasafortën e Gardës së Republikës!

Publikuar: 21/05/2021

Një punonjës i Gardës së Republikës, ruhej aq shumë nga hajdutët se nuk i besonte çelësit të shtëpisë. Si ambientin më të sigurt, ai konsideronte atë të Gardës që survejohet me kamera dhe ka kushte të forta sigurie.

Ndaj dhe paratë që kishte kursyer ndër vite, nuk i mbante të fshehura në banesë, që konsiderohet si vendi më i sigurt, por në zyrën e punës ku kishte një kasafortë metalike.

Por kur hajdutët e ndajnë mendjen, s’ka masë sigurie që i ndal. 60-vjeçari me pozicion pune si specialist i sallës operative të Gardës, humbi 15 mijë euro që i mbante kyçur dhe ishte krejt i qetë që parametrat nuk kishte hajdut t’i thyente. F.S., tregon për burimin e kësaj shume.

“Ishin kursimet e familjes ndër vite dhe një sasi lekësh i mora nga zhdëmtimi i tërmetit të nëntorit 2020. I ktheva në valutë euro dhe për arsye sigurie, vendosa mos t’i mbaja në shtëpi, por në zyrë ku kam një kasafortë metalike me çelës. Dollapi i hekurt ndodhet në zyrën e përbashkët me efektivët e tjerë”, – tregon punonjësi i gardës, sipas të cilit i kishte strehuar paratë në vendin ku mbante pistoletën e punës, detergjentë, kapelën dhe shkresa të ndryshme. Kasaforta mbyllej me çelës.

Por ndonëse e kishte me çelës, ai ishte kujdesur që paratë t’i vendoste në një zarf, të ndarë në njërin prej tyre 500 mijë lekë dhe në tjetrin gjithë valuta në euro. Në brendësi të dollapit prej hekuri, ai i kishte vendosur poshtë një batanije, ashtu sikundër edhe pistoletën.

“Ne kryejmë turn të pandërprerë dhe mandej pushojmë tre ditë. Sa herë merrja detyrën, hapja kasafortën, fusja dorën poshtë batanijes dhe pasi merrja pistoletën dhe kapelën, prekja zarfet për të kuptuar që paratë ishin aty. Të njëjtin veprim kreva edhe ditën që mora turnin”.

Në sallën operative të gardës, atë ditë ai gjendej me kolegun e tij dhe se së jashtmi nuk ka parë asgjë të dyshimtë tek kasaforta ku mbaheshin e ruhej pasuria e familjes.

“Futa dorën poshtë batanijes, me qëllimin për të prekur qesen me para dhe pistoletën dhe kuptova që paratë nuk gjendeshin aty. Aty ishte vetëm zarfi i vogël prej 500 mijë lekësh dhe pistoleta”.

I trembur dhe duke mos besuar çfarë i kishte ndodhur, 60-vjeçari ka kërkuar ndihmën e kolegut, i cili konfirmoi atë ç’ka pa dhe preku ai. Eurot ishin zhdukur.

“I thashë hajde shkojmë bashkë se nuk po ndihem mirë dhe kontrollo ti, mbase nuk po shikoja unë. E boshatisëm kasafortën të dy bashkë, kontrolluam të gjithë gardërobën, por përsëri nuk gjetëm gjë”, – thotë F.S.

Në këtë situatë kur ka konfirmuar se paratë mungonin, i dëmtuari shton se pavarësisht vjedhjes ka vijuar punën i rënduar psikologjikisht.

“I mora me kujdes zarfin me 500 mijë lekë që të mos shkatërroja gjurmët e hajdutëve dhe mbylla kasafortën, bisedova me kolegun dhe ai më tha emrin e një kolegu që e komentoi se ai mund ta kishte bërë”.

Në përfundim të turnit, qesen brenda zarfit ku i mbetën vetëm 500 mijë lekë, e fshehu në shtëpi. Të nesërmen ka kërkuar ndihmën e komandantit të Gardës së Republikës.

“Mora kontakt me përgjegjësin e sallës, P.K., dhe së bashku shkuam tek komandanti i Gardës së Republikës, Gramoz Sako, duke e vënë në dijeni për ngjarjen”.

Mësohet, sipas burimeve të sigurta të GazetaSi.al, që treguan gjithë hetimin, se ka qenë pikërisht kreu i Gardës së Republikës, ai që ka rrëmbyer telefonin dhe ka njoftuar menjëherë shërbimin e çështjeve të brendshme dhe ankesave.

Kur ekspertët kanë mbërritur në sallën operative të gardës, i pari është pyetur shtetasi i dëmtuar. Pyetja e SHÇBA-së, ka qenë direkte dhe konkrete ”ku i gjete 15 mijë euro?”

Burimet shtojnë se efektivi i gardës iu ka vendosur në dispozicion një sërë faturash dhe aktesh noteriale që vërtetojnë burimin e valutës së zhdukur brenda një institucioni shtetëror.

“Nga kjo shumë, 7 mijë euro janë dhuratë nga djali i vëllait që jeton në Itali dhe dhurata më është dhënë në vitin 2019 me kontratë noteriale. Pjesa tjetër, prej 8 mijë eurosh, janë kursimet familjare të miat, fëmijëve dhe gruas, ku përfshihet edhe shuma prej 3.5 milionë lekë të vjetra, që janë dëmshpërblim nga shteti për tërmetin”. Bëhet me dije nga grupi i hetimit, se specialisti është pyetur, se përse i mbante paratë cash?

“Do shlyeja këstin e radhës dhe do t’i depozitoja tek një firmë ndërtimi, pasi kemi prenotuar një apartament në rrugën “Margarita Tutulani” në shumën e 175 mijë euro. Deri më tani, kemi paguar 115 mijë euro të fituara nga shitja e tokës në pronësi të bashkëshortes. Kam për të likuiduar edhe 40 mijë euro”, -shpjegon punonjësi i Gardës së Republikës.

Në rrëfimin e të 60-vjeçarit, bëhet me dije sipas burimeve policore, ai nuk kishte vënë re asnjë veprim të dyshimtë nga kolegët dhe se kur i kishte fshehur, nuk e kishte parë dhe vërejtur askush.

“I vetmi person që kishte akses, është kolegu im që kam besim absolut, i kisha treguar shumë herë, shiko mos ma lë hapur kasafortën, por pa i thënë se poshtë batanijes kisha paratë”.

A e ke lënë ndonjëherë hapur kasafortën, pyesin agjentët e policisë në shkresën që GazetaSi.al, disponon? “Mund të ketë ndodhur ndonjëherë, në të rrallë kur shkoja në banjë, por nuk jam i sigurt se cilës kohë i përkon”, – thotë ai.

Policia tregoi se ka administruar si prova, 500 mijë lekët e vjetra, të cilat burri i ktheu në banesë për të këqyrur se mos në qesen e mbështjellë ka gjurmë papilare dhe për këtë arsye, provat i janë përcjellë laboratorit të kriminalistikës.

Veç këtij veprimi, është sekuestruar edhe lista me emrat e specialistëve që gjenden në turne në sallën operative të gardës, si dhe dëshmitë e kolegëve të tjerë që këmbëngulin se nuk dinin dhe nuk kishin asnjë informacion mbi shumën që kolegu i tyre mbante të kyçur në çelës.



Më të lexuarat