Prapaskena

Kapja e kokainës në Kosovë, sekuestrohen mijëra euro, armë e municione

Publikuar: 18/05/2021

Detaje të reja janë zbuluar nga kapja e 400 kg kokainë në Lipjanë të Kosovës, në një kamion që kishte kaluar tranzit nga porti i Durrësit. Mësohet se deri më tani të paktën 7 persona janë vënë në prangat e policisë për shkak se akuzohen se janë të përfshirë në rrjetin që trafikoi kokainën me vlerë mbi 20 milionë euro.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, përveç kokainës janë gjetur dhe sekuestruar gjithashtu edhe dy revole një TT dhe tjetra me gas, 50 copë fishekë të cal. 7.62 mm, 25925 € para kesh, 200 denar MK, një veturë, 6 telefona celular, 6 PC, dy llap top, katër DVR dhe një Hard Disc.

“Drejtoria e Hetimeve të Trafikimit me narkotik në koordinim me policinë italiane dhe shqiptare, pas një hetimi të përbashkët gjatë kontrollit në depon e një kompanie kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në peshë prej 400 kg, ndërsa gjatë kontrollit në disa lokacione tjera janë gjetur dhe sekuestruar: dy revole një TT dhe tjetra me gas, 50 copë fishekë të cal. 7.62 mm, 25925 € para kesh, 200 denar MK, një veturë, 6 telefona celular, 6 PC, dy llap top, katër DVR dhe një Hard Disc”, thuhet në njoftimin e bërë nga policia e Kosovës.

Më tej thuhet se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në konsultim me gjyqtaren e procedurës paraprake dhe prokurorin e prokurorisë speciale.

“Shtatë të dyshuar meshkuj kosovar janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje”, bëhet e ditur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Edhe kryeprokurori i Shtetit në Kosovë, Aleksandër Lumezi, ka dhënë detaje të hënën për sekuestrimin e rreth 400 kilogramëve drogë të llojit kokainë.

Lumezi në një konferencë për media tha se aksioni është bërë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, autoritetet shqiptare dhe ato italiane si dhe DEA-n amerikane.



Më të lexuarat