Kartat grafike për kompjutera janë një nga pajisjet më të kërkuara të momentit në pikat ku tregtohen pajisjet kompjuterike. Por për çfarë përdoren?
Pjesa më e madhe e kërkesave janë për prodhimin e monedhave virtuale.
Tregtuesit e këtyre pajisjeve tregojnë se ka pasur një kërkesë të vazhdueshme me një fluks të shtuar në 6-7 mujorin e fundit.
Çmimet e tyre variojnë nga 2 deri në 4 mijë euro.
Me gjithë çmimin stratosferik që thuajse është katërfishuar sipas tyre gjatë kësaj periudhe, kërkesa për blerjen e tyre nuk po njeh rënie, një trend që po konstatohet edhe në vende të ndryshme të botës, ku ka marrë hov zhvillimi i kriptovalutave në mënyrë të ligjshme ose jo.
Përveç kartave grafike, tregtuesit shpjegojnë se javët e fundit ka pasur një kërkesë të shtuar edhe për SSD dhe hardisqe, variante që kanë shumë hapësira në arkiva që përdoren po për prodhimin e monedhave dixhitale.
Përveç dyqaneve fizike, një brom kërkesash konstatohet edhe në dyqanet online.
Me një kërkim të thjeshtë nëpër faqet online që shesin pajisje kompjuterike rezulton se për kartat grafike me vlerë nga 1 deri në 2 mijë euro nuk ka gjendje ose janë në sasi të pakta.
Edhe në dyqanet më të mëdha online në botë këto pajisje shoqërohen me mbishkrimin drejt fundit.
Fluksi i kërkesave për karta grafike e së fundmi për pajisje të tjera që përdoren për këtë qëllim ka bërë që të krijohet stok në dyqane për pjesën tjetër të pajisjeve që përdoren për lojëra apo shërbime të tjera.
Kjo së bashku me rastin e fundit të pak ditëve më parë ku një vrasje në kryeqytet veç autorit zbuloi edhe pajisjet e prodhimit të monedheva dixhitale janë një sinjal që “minierat e monedhave virtual” po funksionojnë edhe në Shqipëri.
Kjo e fundit ka tashmë një ligj të miratuar prej gati një viti që legjitimon përdorimin e tyre, por ende i paplotë për t’u zbatuar në mungesë të zbardhjes së akteve nënligjore që janë drejt finalizimit.
Aktualisht, vlera e monedhës virtuale më të njohur në botë Bitcoin ka arritur në 57 mijë dollarë.
U zbulua laboratori i prodhimit të kriptomonedhave virtuale
Vrasja e 27-vjeçarit Mehmet Qema nga miku i tij Marjus Dema zbuloi një laborator të prodhimit të kriptomonedhave virtuale, e cila ishte në pronësi të grupit të miqve.
Kjo lloj teknologjie bën të mundur shkëmbimet e pagesave mes dy subjektesh pa pasur nevojë për një ndërmjetës të tretë që jep garanci.
Në thelb të këtyre monedhave qëndrojnë kode kompjuterike të kriptuara në mënyrë të sigurt, të cilat bëjnë kalimin e informacionit nga një platformë kompjuterike te tjetra.
Në këtë rast, prokuroria nuk vepron dot pasi nuk ka ligj për këtë teknologji të re.
Bitcoin njihet si monedha e parë virtuale, e emetuar privatisht në vitin 2009, nga një autor anonim. Autori anonim Satoshi Nakamoto, publikoi dokumentimin e protokollit elektronik të bitcoin dhe krijoi kriptomonedhën e parë bitcoin, prej 50 njësish, më 3 janar 2009.