Lediana Fratari, kandidatja për deputete e PD, e vendosur e 34-ta në listë pas një fushate të etshme në Tiranë thotë se është koha që Partia Demokratike të analizojë me kujdes disfatën në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, dhe jo të mbytet në “dëshpërimin e të humburve e gëzimin e fituesve”, raporton newsbomb.al.
Madje, ndryshe nga çdo kandidat tjetër i PD në këto zgjedhje, Fratari “shigjeton” dhe të vetët.
“Nuk duhet të rreshtim së kërkuari që kushdo që ka prekur dhe tjetërsuar qoftë edhe një votë të vetme, të shkojë para drejtësisë. Qoftë ai nga partitë rivale, qoftë nga partia jonë”, shkruan vajza e Hajredin Fratarit në postimin në rrjetet sociale.
Fratari thotë se duhet të shigjetohet kundërshtari, por akuzon edhe të vetët, ata “që gjatë fushatës qëndruan në kafene në pritje të rënies së siparit të shfaqjes” e që tani sipas saj, kërkojnë rrezimin e lidershipit.
“Disa të tjerë, të vetëkënaqur e të lumtur që do të kenë një karrige në kuvend, reklamojnë grafikët që tregojnë se ne jemi rritur në krahasim me vitin 2017” thotë Fratari jo pa ironi për rritjen e elektoratit, që e la PD sërish humbëse të zgjedhjeve, raporton newsbomb.al.
“Nuk jam dakord me asnjërin prej këtyre grupeve. Por ajo që duhet bërë, me siguri, është një analizë e thellë e gjithë procesit. Duhet të shikojmë se si u sollën me votën kundërshtarët tanë politikë, por edhe ne mes vetit. Ne nuk duhet të bëjmë sikur s’ka ndodhur gjë. Ne duhet të dimë ta analizojmë me ftohtësi dhe përgjegjësi këtë disfatë, me të gjitha arsyet që e sollën, dhe të dalim prej saj më të fortë nga ç’hymë në garë” shkruan Lediana Fratari