Emisioni Uniko ka udhëtuar drejt Torinos në Itali dhe ka shkuar në banesën e 22-vjeçares shqiptare Sonila Cani e cila u gjet vdekur në datë 21 mars 2021. Ajo u gjet e vetëvarur në tualet, por ka dyshime të forta se dhe mund të jetë vrarë.
Gazetari Spartak Koka ka intervistuar ballë për ballë Kreshnik Canin, bashkëshortin e Sonilës. Intervista është zhvilluar në apartamentin e tyre në Torino.
Gazetari Koka e pyet drejtpërdrejt Kreshnikun se çfarë pune bënin ata në Itali, përderisa bashkëshorti pretendon se pas vdekjes së Sonilës vuri re se në shtëpi mungonin 17 mijë Euro. Me çfarë i kishin fituar këto 17 mijë Euro?
Kreshnik Cani rrëfen se ai dhe Sonila kishin zgjedhur mënyrën më të lehtë për të fituar para.
Spartak Koka: Pyetja tjetër që lindi në emisionin e dytë nga njerëzit është kur Sose Nazo dhe Dashnor Nazo (prindërit e Sonila Canit) rrëfenin një javë para intervistës tënde se Kreshniku dhe Sonila mbijetonin në Itali, por doli surprizë një shumë 17 mijë Euro që i kishit në banesë. Me çfarë i keni siguruar 17 mijë Euro?
Kreshnik Cani: Të them të drejtën, është e kotë që t’i sillem anembanë…
Spartak Koka: Kjo historik do vetëm transparencë.
Kreshnik Cani: Kjo është një diçka që ne kërkonim lekun e thjeshtë.
Spartak Koka: Çfarë do të thotë kërkonim lekun e thjeshtë?
Kreshnik Cani: Kërkonim lekun e thjeshtë!
Spartak Koka: Duhet të flasim hapur…
Kreshnik Cani: Kërkonim lekun në mënyrë të thjeshtë. Unë s’mund të flas dot me detaje shumë të mëdha se çfarë pune bëja. Ta quajmë punë.
Spartak Koka: Kjo është bërë edhe me dëshirën tënde edhe të Sonilës?
Kreshnik Cani: Patjetër!
Spartak Koka: Prej sa kohësh e bënte këtë punë Sonila? Se në hotel nuk ka punuar pastruese, kjo rezulton.
Kreshnik Cani: Faktikisht ajo puna në hotel është e vërtetë sepse një njeri pa dokumente nuk mund të deklarojë dot që ke punuar. Por unë kam mesazhe dhe fotografi që ka punuar dhe në të zezë.
Spartak Koka: Në të zezë pastruese?
Kreshnik Cani: Po pastruese, se çfarë pune bënte atje brenda… kam qenë dhe unë atje brenda në hotel kështu që ka punuar. Kam mesazhe ku unë dhe ajo prisnim klientë të hotelit.
Spartak Koka: Muajt e fundit po punonte punën tjetër apo jo? Me dëshirën e përbashkët të të dyve?
Kreshnik Cani: Po, po. Ishim të dy.
Spartak Koka: Përse vendosët që Sonila të bënte këtë punë?
Kreshnik Cani: Për të më ndihmuar mua se isha i vetëm. Më jepte një dorë. Duhet të punoja me dikë unë, atë kisha shok, shokun më të mirë në jetë. Kështu që te ajo kisha besim.
Spartak Koka: Këto lekë për sa kohë i kishit fituar?
Kreshnik Cani: Unë di që ishin për gati 1 vit. Në mos 1 vit, 10 muaj e sigurtë. Që në të vërtetë unë s’e dija që ekzistonin faktikisht në shtëpi. Sepse unë isha një tip që siç bëja lekët ashtu i prishja. Isha i shpenzueshëm, nuk di ta mbaj lekun. Ajo i kishte fshehur vetë.
Spartak Koka: Punën tjetër kur e ka nisur? Pasi jeni bërë me djalin?
Kreshnik Cani: Po.
Spartak Koka: E udhëzove ti apo donte vetë? Dhe a ka ndikuar kjo punë në ngjarjen e mëpasshme?
Kreshnik Cani: Këtë punë e bënim të përbashkët dhe me dëshirën e të dyve.
Spartak Koka: Pa dhunë?
Kreshnik Cani: Po s’bëhet fjalë ajo gjë…
Spartak Koka: E ke trysnuar ti për ta bërë atë punë?
Kreshnik Cani: Jo jo.
Spartak Koka: Dhe ajo pranoi ta bënte?
Kreshnik Cani: Me mua po.
Spartak Koka: Fitimet ishin të mëdha?
Kreshnik Cani: Shumë të mëdha dhe shumë kemi shpenzuar.
Spartak Koka: Po Soses dhe Dashnorit (prindërit e Sonilës) ja kishit treguar të vërtetën?
Kreshnik Cani: Jo.
Spartak Koka: Kur e kanë marrë vesh?
Kreshnik Cani: Unë nuk e di nëse e dinë akoma të vërtetën.
Kreshnik Cani ishte personi që gjeti të vdekur gruan e tij Sonila Cani brenda banesës së tyre në Torino të Italisë më 21 mars 2021.
Ai ka thënë se ai dhe Sonila bënin punë jo të hijshme dhe kërkonin “lekun e thjeshtë”.
Por Kreshniku kërkon të dijë të vërtetën pasi nuk beson që gruaja e tij të jetë vetëvrarë, ai ka dyshime se mund të jetë vrarë.
Kreshnik Cani i thotë gazetarit Koka se kishte frikë se ndoshta Sonila mund ta linte, për shkak të moshës së saj shumë të vogël. E ndjerë ishte vetëm 22 vjeç kur humbi jetën.
Kreshnik Cani: I kërkoj falje për atë ditë që s’kam qenë në shtëpi …
Spartak Koka: A mund ta parandaloje që të shkëputeshit nga ajo gjë?
Kreshnik Cani: Jo, sepse…
Spartak Koka: Pse? Kaq thellë ishit zhytur?
Kreshnik Cani: Ishim mësuar keq me lekë. Ne s’na mungonte gjë. Po ti pyete Sosen (nëna e Sonilës) kush t’i ka bërë dhëmbët 1 milion e gjysmë lekë. Kush t’i ka bërë, pyete. Mua më vjen keq për atë. Kush ja bërë gjithë ato gjëra, kush ja ka shtruar me beton, kush ja ka blerë fuoristradën Dashnorit (babai i Sonilës)? Mos llafosin kështu tani. Ja kam blerë që më përpara se të merreshim me këtë punë ne, ja kam blerë unë. Qysh e dha ai atë çupë aq të vogël?
Spartak Koka: Po pse?
Kreshnik Cani: Po pyete pra. Ja kam bërë këtë pyetje dhe unë. S’na e bëri njëherë mbarë ne ai. Nuk ka folur asnjëherë me ne në telefon. Për mendimin tim ai ka dëgjuar shumë llafe. Unë di këtë që nga goja ime s’ka ditur gjë. Edhe njerëzit e mi mbase nga këto gjëra nuk më flisnin, nuk shkoja mirë me njerëzit e mi. Sepse as ata e as këta nuk kanë ditur. Se ç’është ai prind që pranon ç’a pune bën fëmija i vetë, kur s’është një gjë e pëlqyeshme. Unë nuk mund t’ia them dot. Nuk ja them se nuk e lë të qetë atë prind.
Spartak Koka: Dashnorit (vjehrrit) çfarë ke për t’i thënë sot?
Kreshnik Cani: I them të shikojë pak lekun më shumë se ç’e ka parë. Unë edhe çupa e tyre sa kemi parë ata nuk kemi parë asnjë njeri tjetër. Kisha frikë se ajo mos më linte. Kisha frikë për këtë gjë po ishte e kotë. Ishte shumë e re dhe mendoja mos ma gënjejë njeri. Si për shembull ajo makina që them unë që lëvizte këtu, nuk lëvizte kot. Kur më thoshte gjëra të tilla unë ia kisha frikën, mendoja mos më lidhej me ndonjë njeri. E kisha në mendje, e doja fort dhe nuk doja ta humbisja.
Spartak Koka: Po ajo sa të donte ty?
Kreshnik Cani: Shumë më shumë se ç’e kam dashur unë. Kishte kohë plot që unë ikja në Shqipëri dhe vetëm. U arrestova njëherë për trafik klandestinësh, ajo bëri ç’është e mundur për të më nxjerrë nga burgu.