Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, rrëzon vendimin e Prokurorisë Speciale (SPAK) për sekuestrimin e kompleksit “Golden” në Shijak, në pronësi të shtetasit në kërkim Altin Hajri.
Ky kompleks ishte i pari që u sekuestruar nga Operacioni Forca e Ligjit (OFL-ja) dhe SPAK urdhëroi sekuestrimin e tij pasi ishte ngritur me burime jo të ligjshme. Në këtë kompleks u vra dhe Jan Prenga.
Por, sipas GJKKO kompleksi “Golden” në pronësi të Altin Hajrit është ngritur me burime të ligjshme dhe të justifikuara, ndaj nuk duhet të sekuestrohet.
“Në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, Operacioni Forca e Ligjit ka vendosur sekuestron e parë mbi objektin kompleksi i shërbimeve “Vila Golden” dhe mbi një karburant të dhënë me qira një shoqërie për tregtimin e hidrokarbureve, që ndodhet në kryqëzimin Pjezge Xhafzotaj, Shijak, pronë e shtetasit Altin Bajram Hajri.
Aktualisht, ky shtetas është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, në funksion të hetimeve për procedimin penal nr. 475, viti 2020, për veprën penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit, e kryer në bashkëpunim”, ngjarje kjo që lidhet me rrëmbimin e shtetasit J. P”, njoftoi Policia kur kompleksi u sekuestrua.