Prapaskena

Përfundon numërimi në Tiranë, Lezha mban hapur rezultatin, vetëm një kuti pa mbyllur. PS merr 74 mandate, PD 59, LSI 4

Publikuar: 28/04/2021

Vetëm një kuti pa u numëruar në të gjithë vendin. Kutia e fundit e panumëruar ndodhet në Lezhë, ku kryeson PD. Në total janë numëruar 5198 kuti nga 5199 gjithsej. Partia Socialiste ka siguruar deri tani 74 mandate, PD 59, LSI 4 dhe PSD 3 mandate.

Rreth 3 milionë e 600 mijë shqiptarë me të drejtë vote u thirrën në votime më 25 prill për të zgjedhur 140 deputetët e Parlamentit të ardhshëm.

Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcakton se Shqipëria ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal, ku në secilin prej 12 qarqeve të vendit prodhohen mandate, bazuar në popullsinë e secilit Qark. Për herë të parë në Shqipëri po aplikohet teknologjia në zgjedhje. Në çdo Qendër Votimi u instaluan pajisje elektronike, të cilat kryen identifikimin elektronik të zgjedhësve.

Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet e 25 Prilli, sjellin risi. Në të njëjtën Fletë Votimi Zgjedhësit votuan për partinë dhe kandidatin preferencial për deputet, që në Fletën e Votimit u identifikua nga një numër e jo emri i tij. Ligji saktëson se së pari numërohen votat për subjektet zgjedhore e më pas, për kandidatët për deputetë.

Lista fituese e kandidatëve për deputetë pas numërimit të votave për partitë, mund të thyhet vetëm nëse një kandidat që renditet poshtë vijës së kuqe ka marrë më shumë preferenca se mesatarja e votave të partisë. Zgjedhjet e 25 Prillit u zhvilluan në kushte tejet të veçanta, për shkak të pandemisë së COVID-19.

Lezha mban hapur rezultatin, vetëm një kuti pa numëruar. Numërohen 5198
Ora 06:30- Vetëm një kuti pa mbyllur. Ka mbaruar Tirana dhe ka ngelur vetëm Lezha me një kuti të fundit. Gjithsesi nuk ka ndryshim rezultati. Në Tiranë PS ka marrë 226842 vota ose 48.7%. PD 182335 vota, ose 39.1%, LSI 27945 vota ose 6% dhe PSD 13273 vota, ose 2.8%



Më të lexuarat