Prapaskena

Plumba “izraelitë” në Elbasan/ Vetëm 7 dolën nga pistoleta e ish-policit, kujt i përkasin 13 të tjerët

Publikuar: 24/04/2021

Aktet e ekspertimit të gëzhojave, kane zbuluar se 7 plumba janë qëlluar nga arma “Glock” 9 mm e përdorur në këtë krim nga ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Papleka.

Një grumbull gëzhojash është konstatuar në një vend, ndërsa 13 gëzhoja të tjera janë gjendur në një pozicion tjetër, të cilat besohet se janë qitur nga një pistoletë e prodhimit Izraelit dhe mendohet se me të janë plagosur ish-polici i RENEA-s, Emiljano Prenga dhe ish-polici tjetër Pavlo Vuksani.

Deri në këtë fazë të hetimit, policia ka lançuar emrin e Klemend Xhaferit, që ka qëlluar drejt grupit të ish-policëve. Por dëshmitarë të tjerë në vendngjarje tregojnë se Xhaferi ka mbërritur në vendngjarje shumë shpejt pasi ka shtëpinë rreth 50 metra larg vendit të krimit.

Disa nga dëshmitarët në polici, kanë pohuar se Xhaferi nuk ka qëlluar me armë, por ka qenë një person tjetër që ka hapur zjarr.

Ne hetime është zbuluar dhe pronari i Benzit luksoz me targë AB 010, i cili i përket biznesmenit të karburanteve Ilir Beko, person të cilit RENEA i sekuestroi në 2019 arsenalin e armëve luksoze në ambientet e karburantit të tij në Papër të Elbasanit.

Benzi përdorej dhe nga djali i Ilirit, Eldjo Beko, i cili ditën e ngjarjes ja kishte dhënë makinën në përdorim Klemend Xhaferit.

Gjatë marrjes në pyetje, Beko nuk ka pranuar të tregojë se kujt personi ja ka dhënë makinën, ndaj dhe policia e ka arrestuar për akuzën e “Kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Lidhur me këtë çështje prokuroria e Elbasanit do kërkojë masën e “arrestit në burg” për të gjithë personat e arrestuar.

Cështja do te shqyrtohet nga gjyqtari i Elbasanit, Tomor Kullolli, dhe seanca për caktimin e masës së sigurisë, pritet të zhvillohet ditën e hënë në datën 26 prill 2021, një ditë pas përfundimit të procesit të votimit.



Më të lexuarat