Prapaskena

“Mund të prisni biletën e autobusit online”, drejtoresha e AKSHI-t: e-Transporti, projekti që do të ndryshojë transportin përgjithmonë në Shqipëri

Publikuar: 16/04/2021

Transporti ndërqytetas i udhëtarëve do të ketë tashmë platformën elektronike eTransport. Si një projekt i nisur nga Ministria e Infrastrukturës, Energjisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, eTransport do të krijojë një standard të ri të eksperiencës së udhëtimit me linjat e transportit ndërqytetas.

E pranishme në prezantimin e kësaj platforme, krahas Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, zëvendës ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Etjen Xhafaj, Drejtoreshë së Përgjithshme të Tatimeve, Delina Ibrahimaj, ishte edhe Drejtoresha e Përgjithshme e AKSHI-, Mirlinda Karçanaj, e cila e vlerëson eTransportin si një prej projekteve që do të ndryshojë faqen e transportit njëherë e përgjithmonë në Shqipëri.

“Qytetarët do të kenë mundësi që t’i presin biletat online përmes telefonit me QR code, të shohin gjeovendndodhjen e stacioneve, oraret, kryqëzimin e linjave. Nga ana tjetër, tregu në fjalë do të përdorë platformën për të monitoruar burimet e veta në terren, për të aplikuar online për licensimin e shoqërive dhe certifikimin e mjeteve, do të formalizojë tregun e transportit, çka do të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët”, ka theksuar në fjalën e saj drejtoresha Karçanaj, duke bërë më tej krahasimin e këtij realiteti me atë të pak viteve më parë kur imazhi i vetëm që vinte nga transportet ishin radhët e gjata, rryshfeti apo letrat e pafundme që një qytetari i duhej t’i mblidhte për mjetin e vet.

Ndërsa sot në platformën unike e-Albania, DPSHTRR ofron 49 shërbime, nga aplikimi për marrjen e lejes së drejtimit, tek leja e qarkullimit, certifikata e pronësisë së mjetit, aplikimi për t’u pajisur me targë apo kontrolli në kohë reale i pikëve të drejtuesit të mjetit. Aktualisht, vetëm për shërbimet e DPSHTRR janë bërë rreth 2 milionë aplikime online, nga të cilat janë gjeneruar rreth 600 mijë dokumente me vulë elektronike. Qytetarët kanë kursyer 120 milionë lekë nga xhepat e tyre, pa llogaritur këtu vite të tëra në pritje sportelesh, stres apo ecejake. Dikur, duhej të aplikohej në radhë për leje drejtimi dhe do të duhej të pritej deri në 20 ditë. Sot aplikimi bëhet online dhe leja e drejtimit merret për 30 minuta.

“E gjitha kjo nuk do arrihej pa mbështetjen e plotë të kryeministrit Rama për revolucionin dixhital dhe pa vizionin e Blendit, i cili sapo erdhi në drejtim e kuptoi menjëherë që investimet në teknologji janë e vetmja rrugë për të shpëtuar shërbimet e transportit. Procesi i punës është automatizuar dhe sistemet janë integruar në një të vetëm. Konkretisht kemi investuar në sallën e monitorimit si fjala e fundit e teknologjisë për modernizimin informatik të monitorimit, duke garantuar një proces transparent dhe objektiv për kandidatin dhe autoshkollat.

Krahas digjitalizimit të arkivës fizike është investuar në një sistem të integruar, i cili ndërvepron në kohë reale me sistemet e tjera, përfshirë sistemin e fiskalizimit dhe siguron një monitorim interaktiv dhe në kohë reale të të gjitha proceseve, duke filluar nga pranimi, testimi e deri te lëshimi i lejes së drejtimit sipas standardeve më të larta. E gjitha kjo punë jo vetëm ka lehtësuar shërbimet për qytetarët por ka rritur edhe sigurinë rrugore”, ka përfunduar drejtoresha Karçanaj, duke falenderuar të gjithë të pranishmit e përcjellë urimet për një takim sa më të shpejtë për fazën e dytë të këtij projekti të suksesshëm.



Më të lexuarat