Prapaskena

Skandali me të dhënat personale, SPAK zbarkon në zyrat e Bushatit, do sekuestrohen serverat

Publikuar: 13/04/2021

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbarkuar në zyrat e redaksisë së “Lapsi.al” të Andi Bushatit, që zbuloi skandalin me përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve.

Mësohet se prokurorët e SPAK do të sekuestrojnë serverat e redaksisë, në kuadër të hetimeve të nisura në lidhje me këtë ngjarje.

Ky aksion i SPAK vjen tre ditë pasi Lapsi.al publikoi investigimin në lidhje me databes-n që po përdorte të dhënat e qytetarëve për zgjedhjet e 25 prillit. Nga ana tjetër, kreu i SPAK, Arben Kraja ka theksuar se kanë nisur verifikimet për database-n.

Në një prononcim për Anila Hoxhën, gazetaren e Top-Channel, ai u shpreh: Po kemi nisur verifikime. Po kryhen verifikime dhe patjetër do keni keni përgjigje.

Por çfarë ka ndodhur me të dhënat personale të qytetarëve?

Skandali është zbuluar dy ditë më parë nga Lapsi.al. Një database me të dhënat e mbi 910 mijë votuesve, përfshirë këtu një sërë emrash të njohur të gazetarëve si Blendi Fevziu, Ylli Rakipi, Mero Baze, Fatos Lubonja, Andi Bushati, Armand Shkullaku, Arjan Cani e Eni Vasili, janë të skeduar me preferencat politike dhe shanset se për kë do të votojnë me 25 prill.

Sipas portalit, ky regjistër elektronik është shpërndarë në të gjitha degët e PS në Shqipëri dhe të dhënat janë marrë nga e-albania. Në një reagim, AKSHI mohoi të ketë gisht në këtë database, ndërsa Taulant Balla tha se PS ka regjistra prej vitesh.



Më të lexuarat