Edhe pse ka një vendim të drejtësisë shqiptare që e ka dënuar dhe një vendim të KPA që e ka pezulluar ish-gjyqtari Luan Daci shkon në punë duke i sfiduar këto vendime. Pas konstatimit të këtij skandali gazetari i Report Tv Arsen Rusta i drejtoi disa pyetje Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
KPA deklaron se është ende në pritje të vendimit të Apelit të GJKKO sipas procedurave.
Ndërkohë që sa i përket faktit se Daci ka shkuar me makinën e punës, e cila paguhet edhe nga taksapaguesve, KPA thotë për gazetarin Rusta se është Garda e Republikës ajo që vë në dispozicion automjetet për gjyqtarit e Kolegjit.
Pyetjet e drejtuara për KPA nga Report Tv:
Me çfarë statusi paraqitet në punë pranë KPA ose pranë zyrave tëe KPA ish-anëtari, Luan Daci?
Me fare statusi ai përdor një automjet zyrtar të paguar nga taksat e publikut, kur ai është i dënuar me vendim të formës së prerë?
Është njohur KPA me vendimin e formës së prerë të Apelit për dënimin e z. Luan Daci?
Cili është komenti i KPA për zbatimin e Ligjit, vendimi i Apelit e pengon z. Daci të paraqitet në KPA me të gjitha benefitet apo e lejon siç ai ka thënë publikisht do paraqitem në zyrë se njoh vendimin e Gjykatës.
Përgjigja e plotë e KPA:
Ne pergjigje te pyetjeve tuaja drejtuar Kolegjit, ju bej me dije informacionin si me poshte vijon:
Gjyqtari Luan Daci vijon të jetë i pezulluar nga detyra me vendimin nr.14, datë 24.07.2020 të Mbledhjes së Gjyqtarëve.
Sa i perket vendimit të Gjykatës së Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të cilit ju i referoheni, Kolegji i Posaçëm i Apelimit është në pritje për të administruar vendimin e vlefshëm sipas dispozitave procedurale.
Në zbatim të VKM-së nr. 641, datë 06.11.2017 “Për ruajtjen dhe mbrojtjen e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, është Garda e Republikës si institucioni përgjegjës për mbrojtjen dhe sigurinë fizike të anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që ka vënë në dispozicion automjetet dhe personelin e sigurisë që shoqëron gjyqtarët e Kolegjit. Duke ju falenderuar Alida Beqiraj
Kujtojmë se Luan Daci është dënuar nga Apeli i GJKKO me 6 muaj burg, i konvertuar në 1 vit shërbim prove. Daci është paraqitur deri më tani dy herë pranë shërbimit të provës ku sipas dënimit duhet të mbajë kontakte për 1 vit. SPAK kishte kërkuar 1 vit burg.
Sipas SPAK dhe GJKKO, gjyqtari Luan Daci ka falsifikuar dokumentacionin në momentin që aplikoi për t’u bërë pjesë e trupës së KPA-së. Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë nga gjyqtari i KPA ai fshehu faktin se kur ishte gjyqtar në gjykatën e Tiranës në 1997, KLD-ja me propozim të ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi.