Nga Prishtina, Fatos Shala
Kuvendi i Kosovës, me 67 vota pro dhe 30 abstenime, zgjodhi Albin Kurtin për të udhëhequr kabinetin e ri qeveritar të Kosovës. Kurti, në menaxhim, do të ketë 3 zëvendëskryeministra dhe 15 ministra.
Sipas përllogaritjeve të dala nga raportet e deklarimit të pasurisë në Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), del se kryeministri Albin Kurti ka një pasuri të paluajtshme prej 400 mijë eurosh, mbi 11 mijë euro para të gatshme dhe rreth 232 mijë euro detyrime emër të bashkëshortes. Ai thotë se nuk posedon aksione apo letra me vlerë në shoqëri të ndryshme komerciale.
Për sa u përket parave të gatshme, Kurti ka deklaruar se ka rreth 1,800 mijë euro në xhirollogari bankare, ndërsa mbi 11 mijë e 400 euro janë në emër të bashkëshortes. Nga të hyrat vjetore, ai thotë se nga paga ka marrë 8 mijë e 700 euro.
Vartësi i parë i Kurtit, Besnik Bislimi, ka deklaruar pasuri të paluajtshme në emër tij, të blera me kredi, në vlerë prej 380 mijë euro, kurse në emër të bashkëshortes, ka një banesë në vlerë prej 48 mijë eurosh, po ashtu e blerë me kredi.
Bislimi thotë se ka dy vetura, njëra në emër të bashkëshortes, në vlerë të përgjithshme prej 32 mijë eurosh. Në deklarimin e pasurisë, tregon se nuk ka aksione apo letra me vlerë në shoqëri të ndryshme komerciale. Zëvendëskryeministri i parë, tregon se ka 20 mijë euro para të gatshme, kurse detyrimet financiare të tij janë 260 mijë euro.
Të hyrat vjetore të Bislimit janë nga AUK dhe nga Ministria e Financave dhe Transfereve deri sa ishte në krye të këtij institucioni.
Disa nga ministrat aktualë të Qeverisë Kurti II nuk kanë ushtruar funksione publike, për të cilët mungojnë raportet e deklarimit në AKK.
Një prej tyre është edhe Donika Gërvalla, e cila është emëruar zëvendësministre dhe ministre e Punëve të Jashtme.
Vartësja e tretë e kryeministrit Kurti është Emilja Rexhepi, e cila është emëruar zëvendëskryeministre. Rexhepi thotë se ka tokë nga trashëgimia në vlerë prej 470 mijë eurosh. Ajo posedon një veturë Mercedes E Class, në vlerë prej 15 mijë euro.
Zëvendëskryeministrja Rexhepi në deklarim thotë se nuk ka para të gatshme, aksione apo letra me vlerë në shoqëri të ndryshme komerciale. Sipas deklarimit, ajo tregon se ka një kredi në vlerë prej 10 mijë eurosh. Nga të hyrat vjetore, Rexhepi thotë se ka mbi 17 mijë euro, kurse 3,800 euro janë nga mëditjet.