Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ftuar në emisionin “Log”, ka shpërthyer në sulme ndaj ndërkombëtarëve.
Meta i ka cilësuar zyrtarët ndërkombëtarë në vendin tonë “horra dhe gangsterë”, prej të cilëve nuk trembet. Në mënyrë të paprecedentë, por diçka normale për presidentin, Meta i paralajmëroi diplomatët që “të mos guxojnë ta shohin Shqipërinë si një vend eksperimental”.
“Madje edhe sot kam një paralajmërim të prerë për ta, në veçanti me mafien ndërkombëtare, të bëjnë kujdes sepse Shqipëria nuk është një vend eksperimental. Ilir Meta nuk e llogarit fare mafien ndërkombëtare.”, tha kreu i shtetit.
“Më i rëndësishëm është procesi zgjedhor dhe jo rezultati i zgjedhjeve. Qëndrimet e mia kanë interes vetëm në vendosjen e legjitimitetit të plotë të të gjitha institucioneve. Për mua nuk është e rëndësishme kush fiton zgjedhjet, por që zgjedhjet të jenë një mundësi historike për të vendin, për t’u shkëputur nga kjo pengmarrje, nën shembullin e dosjeve të Shijakut dhe të Dibrës. Procesi është i rëndësishëm. Ilir Meta nuk pyet për horrat dhe gangsterët, nuk pyet për mafien ndërkombëtare dhe as për diplomatë të korruptuar. Ilir Meta mendon vetëm për Shqipërinë dhe për respektimin e Kushtetutës. Madje edhe sot kam një paralajmërim të prerë për ta, në veçanti me mafien ndërkombëtare, të bëjnë kujdes sepse Shqipëria nuk është një vend eksperimental. Ilir Meta nuk e llogarit fare mafien ndërkombëtare. Mafia ndërkombëtare i ka të regjistruara në telefonat e saj mesazhet e Presidentit, por dhe ballë për ballë i kam paralajmëruar. Duhet të jenë shumë ë kujdesshëm me Shqipërinë dhe shqiptarët. Shqiptarët janë zot në vendin e tyre dhe ne, zgjidhjen do e japim vetë”, tha Meta.