Kryeministri Edi Rama është i bindur se Lulzim Basha nuk është lideri real i Partisë Demokratike. Rama shprehet se pas Bashës, qëndron Sali Berisha, i cili ka mundësinë ta largojë Bashën nga drejtimi i demokratëve ‘me vetëm një postim në Facebook’.
“Sali Berisha, me një postim në facebook e nxjerr ‘fishek’ Lulzim Bashën nga PD, madje pa dalë as nga shtëpia”, tha Rama i ftuar në ‘Open’, deklaratë të cilin ka e lidhur me faktin se Lulzim Basha hesht kur Sali Berisha deklaron se vaksinat vrasin shqiptarët, dhe nuk flet.
Rama është ndalur edhe te zgjedhja e Ilir Metës si president, marrëdhënie e cila është aktualisht e tensionuar me akuza dhe kundër akuza të forta për njëri-tjetrin. Rama ka sqaruar se përse zgjodhi pikërisht Metën si kreu i shtetit, atëherë kur PD-ja ishte ngujuar në çadër dhe refuzonte që të merrte pjesë në zgjedhje.
“Me Ilir Metën nuk më ka ndarë kjo fushatë, ju duhet ta kujtoni. Më ka ndarë fushata e 2017, për Ilirin kam bërë krahasimin me vulën e eksport/import të Haxhi Qamilit, se Meta ishte kërcënim real i Reformës në Drejtësi. President Metën nuk e bëra unë, e bënë votat e tij, e vetmja mundësi për të bërë një zgjedhje në atë kohë, se e kam thënë që për zgjedhjen më të mirë për opozitën, po s’e mendova që do lajthisë, e dija që pa votat e Metës nuk bëhej presidenti”, tha Rama.
Ndalur te retorika e tij politike në këtë fushatë, e karakterizuar me nota ironike, shpesh e cilësuar edhe si “bulizëm”, Rama tha se është krenar.
“Jam krenar, është mënyrë komunikimi, një mënyrë komunikimi që mua më vjen natyrshëm, por nuk është e panjohur në mënyrat e komunikimit në botën e lirë. Basha nuk di të më përgjigjet, secili bën atë që mendon se është më e udhës“, u shpreh Rama.