Në kardiologjinë e QSUT, ka prani të shtuar të forcave të policisë pasi në orën 11:00 i bëhet komunikimi i masës së sigurisë për Ardjan Çapjas, i arrestuar dy ditë më parë përmes operacionit “Krasta 2021”, i përfshirë në ekzekutimin e babë e bir, Gentjan Beqiri e Nezir Beqiri.
Masa nga Shkalla e Parë e Gjykatës së Elbasanit bëhet në kardiologjinë në QSUT pas shqetësimeve shëndetesore të shfaqura nga Ardjan Çapja pas arrestimit.
Ardian Çapja, 53 vjeç, u arrestua si i dyshuar për vrasjen e babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqiri në 2012, ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i tij, Florenc Çapja. Nga sa raportohet, Çapja do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër. Ai është dërguar në spital nën masa të rrepta sigurie, ku vijon të mbahet në ruajtje.
Nga ana tjetër, uniformat blu kanë ‘mësyrë’ në shtëpinë e tij, ku u gjendën një kallashnikov, 5 radio dhe disa uniforma të ngjashme me ato të Policisë, si edhe një person i cili ishte në kërkim. Gjithashtu, bëhet e ditur, se Prokurori Ritvan Sukaj, i cili ka hetuar Ardjan dhe Florenc Çapjan është marrë në mbrojtje nga Policia i Shtetit, pas kërkesës së këtij të fundit.
Gentian dhe Nezir Beqiri u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve.
Çapja iu ka shpëtuar 3 atentateve, më i fundit në qershor të vitit 2020 ku nga një kodër u qëllua në shpatull dhe në momentin e rrëzimit pësoi një frakturë edhe në kokë, ku qëndroi për disa ditë në reanimacion.