KPK e konfirmoi në detyrë pavarësisht probleme me pasurinë, ONM ankimon vendimin për Prokuroren e Tiranës

Pa Kategori

Publikuar: 31/03/2021

KPK e konfirmoi në detyrë pavarësisht probleme me pasurinë, ONM ankimon vendimin për Prokuroren e Tiranës

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit(ONM) ka vendosur ditën e sotme të ankimojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurores së Tiranës, Lindita Ziguri.

Në janar të këtij viti, KPK-ja konfirmoi në detyrë prokuroren Ziguri, pavarësisht problemeve me pasurinë. Ditën e sotme, është bërë publik ankimi që ka bërë ONM-ja, i cili do të shqyrtohet nga Komisioneri Publik.

NJOFTIMI ZYRTAR

31.3.2021

Në datën 12.1.2021, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Lindita (Male) Ziguri me detyrë prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Vendimi nr. 332, datë 12.1.2021, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, iu njoftua Komisionerëve Publikë, më datë 30.3.2021.

Më datë 31.3.2021, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.