Ish-kryeministri 1997-tës dhe deputeti Partisë Socialiste Bashkim Fino nuk e fitoi dot betejën me Covid 19, duke e ndarë nga jeta në moshën 59 vjeçare paraditen e kësaj të hëne.
Por zoti Fino ishte një politikan jo i zakonshëm, i cili gëzonte respektin e të gjitha palëve. Në emisionin OPEN në Top Channel, ministri Blendi Klosi ka sjellë detaje nga bashkëpunimi me Finon.
Klosi tregoi një episod gjatë kohës që punonte zv.ministër, ndërsa Fino ishte ministër.
“Po të shkojë në 8 e 5, Bashkimi të mbyllte derën. Nuk kishte kompromis me Bashkimin. Unë punoja zv.ministër kur ai ishte ministër. Ishte shumë i sertë për punën. Duhet të mendoheshe mirë për punën. Por ishte edhe babaxhan”, tha Klosi në OPEN.
Ministri zbuloi edhe fjalët e fundit të Bashkim Finos.
“Bashkimi ishte tek pjesa tradicionale e partisë aq sa e reformuar e saj. Ka qenë zë i fortë, mbaj mend debatin e ’99 që do të bëhej zgjedhja dhe bëri një luftë të paepur në atë kohë. Kam pasur shumë marrëdhënie personale. Kam komunikuar përditë me të dhe me doktorin e tij gjatë kohës që ishte i sëmurë. Ai ishte i rënduar, covid i preku në masë të madhe mushkëritë. Mbaj mend që më tha Klos vazhdoni fushatën të fitoni, mbaj mend që kishte atë maskën e oksigjenit e më tha fitoni. Kam që nga ’97-a që kam një miqësi me Finon dhe e di që të gjithë e donin. U bëri mirë të gjithë atyre që besojnë tek politika”, tha Klosi.