Një ditë pas nxjerrjes së trupit të 33-vjeçarit Arjan Sala, i propozur tashmë për titullin “Dëshmor i Atdheut”, ekspertiza paraprake ka zbuluar se zjarri është ndezur për shkak të një shkëndije elektrike në kabllin e një llampe neoni.
Report Tv raporton se shkëndijat e ndezura pas defektit kanë rënë mbi disa rroba sintetike duke hapur flakë të shumta.
Flakët e para janë pikasur rreth orës 15:00 teksa punëtorët e Casa Italias ishin duke pritur kamionin e mbushur me mallra.
Në fillim kanë qenë punonjësit e sigurisë mes tyre edhe 33-vjeçari që kanë hyrë për të shuar flakët. Ata ia dolën të shuanin flakët fillimisht por jo vatrën dhe për pasojë, zjarri u riaktivizua disa minuta më pas.
Arjan Sala ishte personi që hyri në brendësi të magazinës për të shuar flakët dhe tentoi të dilte nga dera e emergjencës por errësira dhe tymi e penguan dhe ai u rrëzua.
Arjan Sala, 33 vjeç, babai i një vajze të mitur prej vitesh ishte punonjës security. Trupi i tij u gjet dje, 3 ditë pas zjarrit që ra tek qendra tregtare ku ai punonte.
Ekspertiza paraprake zbuloi se i riu ka qendruar rreth 24 orë gjallë, por më pas nuk ia ka dalë dot më. Trupi i tij u nxorr me vonëse, ndërsa një përplasje e familjarëve dhe forcave zjarrfikëse vuri nën presion autoritetet që të gjenin sa më herët trupin e Arjan Salës, një punëtori të zakonshëm që shpëtoi rreth 25 qytetarë dhe u vetësakrifikua në zjarrin masiv që ra te Casaitalia, ku temperatura gjatë 2 ditëve shkoi në 900 gradë Celsius.
Ai u përcoll dje nga familjarët në banesën e fundit, ndërsa qeveria pritet ta shpallë Dëshmor të Atdheut me propozim të mijëra qytetarëve që u solidarizuan në rrjetet sociale.