Vaksinat COVID-19 përballë varianteve të reja të virusit. Shumë do të varet nga bllokimi i transmetimit, jo vetëm i sëmundjes, shkruan The Economist
Më 1 shkurt, studiuesit në të gjithë botën panë postimin e parë në Twitter që po e prisnin me padurim: “Themi me maturi, se magjia ka filluar”. Eran Segal, shkencëtar në Institutin Weizmann, kishte postuar azhurnime të rregullta mbi rrjedhën e epidemisë COVID-19 në Izrael, që kur fushata e vaksinimit masiv kishte nisur gjashtë javë më parë.
Më 1 shkurt, ai vuri re se numri i shtrimeve në spital po ulej ndjeshëm për personat e moshës mbi 60 vjeç – një grup ku numri i vaksinimeve kishte arritur 70% tre javë më parë, një nivel vendimtar. Pas një vonese të pritshme, por gjithsesi të bezdisshme, vaksinimi vazhdoi të përparonte.
Deri më 6 shkurt, rreth 85% e të moshuarve mbi 60 vjeç në Izrael – dhe 40% e popullsisë së përgjithshme – kishin marrë të paktën një dozë të vaksinës mARN Pfizer/BioNTech (ose në disa raste të vaksinës mARN Moderna) dhe 75% e personave mbi 60 vjeç, kishin marrë dozën e dytë. Në këtë grupmoshë, shtrimet në spital për COVID-19 ishin rreth dy të tretat e asaj që kishin qenë në kulmin e tyre në janar dhe po vazhdojnë të bien (shih grafikun 1). Në të njëjtën kohë, vendi në tërësi po përjetonte rritjen e rasteve.
Vaksina nuk ishte e vetmja gjë që mbërriti në Izrael në fund të vitit të kaluar. Aty nisi të përhapej edhe B.1.1.7, një variant shumë ngjitës i sars-cov-2, virusi përgjegjës për COVID-19, i cili u identifikua për herë të parë në Britani në shtator. Ai filloi të mbushte repartet e spitaleve në Izrael, ashtu siç ka bërë në Britani, Irlandë dhe Portugali. Pavarësisht masave të zgjatura bllokuese, po vazhdon të përhapet.
Nuk është për t’u habitur që sars-cov-2 ka evoluar me truke të reja biologjike, duke infektuar gjatë një viti më shumë se 100 milionë njerëz. Por mbërritja thuajse e njëkohshme jo vetëm e versionit B.1.1.7 por edhe B.1.351, i cili tani është lloji dominues në Afrikën e Jugut dhe P.1, një varianti të vëzhguar për herë të parë në Brazil, po e bën vaksinimin masiv edhe më të ndërlikuar dhe më konfuz sesa pritej, kur provat e para të vaksinave të sigurta dhe efektive u vunë në dispozicion nëntorin e kaluar. Pyetjet se sa shpejt mund të përhapen variantet e ndryshme të reja, sa mirë funksionojnë vaksinat e sotme kundër tyre dhe sa shpejt i luftojnë vaksinat këto dhe variante të tjera që do të shfaqen me kalimin e kohës – do të përcaktojnë rrjedhën e pandemisë.
Testimi i kufijve
Deri në 10 shkurt, të paktën nëntë vaksina ishin autorizuar për përdorim në një ose më shumë vende. Vaksina Pfizer/BioNTech, e para që u miratua, tani është autorizuar të përdoret në 61 vende, si dhe për përdorim emergjent nga OBSH. Numri i dozave të administruara, 148 milionë, tani kapërcen numrin e rasteve të konfirmuara të COVID-19 të regjistruara gjatë rrjedhës së pandemisë.
Të gjitha vaksinat duken shumë të mira në parandalimin e rasteve të rënda COVID-19 që çojnë në shtrim në spital dhe/ose vdekje; kështu tregojnë provat të cilat krahasonin efikasitetin me të cilin vaksinat e ndryshme parandalonin sëmundjen dhe rezultati ishte 85-100%.
Efikasiteti i tyre kundër të gjitha rasteve simptomatike të sëmundjes ka qenë më i ulët, duke lëvizur midis 66% dhe 95%. Luhatjet varen edhe nga ndryshimet e brendshme midis vaksinave. Disa janë në faza provash sipas protokolleve të ndryshme dhe në popullata të ndryshme, ndonjëherë kundër varianteve të ndryshme të virusit. Është e vështirë të ndash efekte të tilla. Mesazhi i përgjithshëm, megjithatë, është mjaft i qartë. Vaksinat i bëjnë rastet serioze të të gjitha llojeve shumë të rralla, dhe rastet e lehta deri në mesatare të shkaktuara nga lloji origjinal i virusit janë shumë më të rralla sesa po të mos bëhej vaksina.
Ky është padyshim një lajm i mirë; vaksina ul numrin e të vdekurve, vuajtjet dhe mbingarkesën e spitaleve. Por situata nuk është perfekte. Rastet e lehta dhe të moderuara mund të jenë më keq sesa duken. Shumë raste të “COVID-it të gjatë”, një formë dobësuese e sëmundjes ku disa efekte zgjasin me muaj, pasojnë infeksione fillestare që nuk ishin aq të rënda sa të kërkonin shtrim në spital. Ende nuk është e qartë nëse COVID-i i gjatë ka më pak të ngjarë tek njerëzit që janë vaksinuar.
Për më tepër, ky model i efekteve nuk zbulon se çfarë po arrijnë vaksinat në lidhje me transmetimin. Siç thekson Natalie Dean, biologe në Universitetin e Floridës, ka dy mënyra sesi një vaksinë mund të mundësojë modelin e mbrojtjes ndaj COVID-19 (shih grafikun 2). Në njërën prej tyre, ndodh i njëjti numër infeksionesh, por pasojat e këtyre infeksioneve ulen sistematikisht. Pothuajse të gjitha infeksionet që mund të shkaktojnë raste të rënda çojnë në raste të moderuara ose të lehta, dhe shumë prej infeksioneve që do të kishin çuar në raste të moderuara ose të lehta, nuk kanë fare simptoma.
Alternativa është që numri i përgjithshëm i infeksioneve ulet, por raporti i rasteve të rënda në të lehta deri në asimptomatike, qëndron afërsisht i njëjtë. Numri tashmë i ulët i vdekjeve dhe i shtrimeve në spital, zvogëlohet në thuajse zero. Në mënyrë të ngjashme, ulet edhe numri i rasteve të lehta (megjithëse, meqë është më i madh, mbetet i dukshëm). Dhe po kështu, edhe numri i rasteve asimptomatike. Në të vërtetë, ndryshimi kryesor midis dy skenarëve është se në të parin rriten rastet asimptomatike, dhe në tjetrin ulen.
Loja e kalimit
Në botën reale ka pak nga të dy skenarët: infeksione më të ulëta në përgjithësi dhe pakësimi i simptomave që pasojnë, me vaksina të ndryshme që ofrojnë profile të ndryshme. Por marrja parasysh e dy ekstremeve është gjithsesi udhëzuese. Vaksinat që thjesht zbusin simptomat, do të bëjnë relativisht pak për të ndaluar përhapjen e virusit. Vaksinat që ulin infeksionet, nga ana tjetër, do të shkaktojnë një dëm të madh në numrin R famëkeq të epidemisë – numri i infeksioneve të reja që lind nga çdo infeksion. Për sa i përket uljes së atyre që njihen si “ndërhyrje jofarmaceutike” – maska, distancim social, urdhra për karantinim në shtëpi dhe gjëra të ngjashme – kjo diferencë midis vaksinave do të niste të kishte shumë rëndësi.
Disa njerëz nuk do të vaksinohen, ose për shkak të kushteve shëndetësore para-ekzistuese që e bëjnë vaksinën të rrezikshme për ta, ose sepse nuk ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë, ose sepse ata zgjedhin që të mos e bëjnë. Nëse vaksinat në thelb janë duke ulur simptomat, atëherë këta njerëz të pavaksinuar do të rrezikohen. Nëse ata po e bëjnë virusin më pak të transmetueshëm, rreziku do të zvogëlohet.
Një vaksinë COVID-19 që është shumë efektive në parandalimin e transmetimit do të jetë veçanërisht e dobishme. Sipas një modeli nga Imperial College London, nëse të gjithë faktorët e tjerë janë të barabartë, një vaksinë që bllokon 40% të infeksioneve dhe kështu parandalon 40% të sëmundjes, do të kishte ndikim të ngjashëm në numrin e vdekjeve nga COVID-19, si një vaksinë që do të eliminonte 80% të sëmundjes, por duke mos ndikuar në uljen e infektimit.
Epidemiologët po presin me padurim rezultatet që do t’u tregojnë se sa të mira janë vaksinat ekzistuese në uljen e infeksioneve asimptomatike dhe infektimit. Të dhënat nga Izraeli sugjerojnë se ngarkesa virale në tamponët nga individët e infektuar, është më e ulët nëse janë vaksinuar. Provat klinike të vaksinës Oxford/AstraZeneca sugjerojnë që vaksina mund të përgjysmojë infeksionet, siç zbulohen nga testet PCR. Rezultate të tilla tregojnë se vaksinat COVID-19 ka të ngjarë të zvogëlojnë transmetimin e përgjithshëm të virusit. Por për të kuptuar se sa shumë është bllokuar transmetimi – dhe shkalla në të cilën disa vaksina arrijnë të bllokojnë më mirë transmetimin sesa disa të tjera – do të duhen muaj.
Ekziston edhe ndërlikimi i varianteve të reja. Vaksinat duket se nuk kanë ndonjë problem të veçantë me B.1.1.7. Ai thjesht i ndërlikon gjërat, duke u përhapur pak më shpejt nëpër pjesë të paimunizuara të popullsisë. B.1.351, i cili tani është vëzhguar në më shumë se 30 vende, është më shqetësues. Është zbuluar se të paktën tre vaksina – Oxford/AstraZeneca, J&J dhe Novavax – janë më pak efektive në ndalimin e këtij varianti nga shkaktimi i sëmundjes, në krahasim me variantet e tjera. Ka gjithnjë e më shumë dëshmi se P.1, tani i raportuar edhe në një numër vendesh përtej Brazilit, gjithashtu duket se është më i zoti në shmangien e imunitetit të krijuar nga infeksioni paraprak dhe nga disa vaksina.
Shtetet që tashmë kanë vaksinuar shumë njerëz, mund të kthehen në pikën fillestare për shkak të përhapjes së varianteve të tilla. Britania, ku 13 milionë njerëz janë vaksinuar deri më 10 shkurt, dhe miliona të tjerë janë infektuar dhe kështu kanë imunitet (studimet britanike kanë zbuluar se riinfektimi është shumë i rrallë për të paktën pesë muaj), po përpiqet shumë që të mbajë B.1.351 larg popullatës. Autoritetet shëndetësore janë duke testuar masivisht zonat ku rastet e B.1.351 janë vërejtur dhe po bëjnë gjurmim të përpiktë të kontakteve kur zbulohet një rast. Kontrollet kufitare janë forcuar.
Duke nxjerrë një avantazh
Jo të gjitha variantet e reja mund të dallohen dhe të ndalohen në kufij. Mutacionet mund të lindin kudo — ndonjëherë problemi vjen edhe nga brenda. Por mund të ketë një gamë të kufizuar mutacionesh për të cilat njerëzit duhet të shqetësohen.
Variantet e reja ndryshojnë të gjitha nga virusi origjinal dhe nga njëri-tjetri, në mënyra të ndryshme. Por varianti P.1 dhe B.1.351 të dy zotërojnë një tipar të veçantë mutacional (teknikisht i quajtur E484K, por që ka marrë nofkën Eric ose Eek) që konsiston në një ndryshim specifik në proteinën gjembore në pjesën e jashtme të virusit. Eek tani është zbuluar edhe në disa raste të izoluara të versionit B.1.1.7. Studiuesit kanë filluar të mendojnë se ndryshimi që përfaqëson Eek është ai që i lejon këto variante të infektojnë njerëzit, edhe nëse ata janë vaksinuar ose infektuar më parë.
Do të ishte mirë nëse nuk do të kishte variante virusi që janë rezistente ndaj vaksinave. Por duke qenë se ekzistojnë, mundësia që të gjithë po përdorin të njëjtin truk ofron paksa rehati. Ajo tregon se Eek mund të jetë mënyra më e mirë që kanë variantet e reja për të shmangur përgjigjet imune të afta për të luftuar llojin origjinal të virusit. Nëse variantet janë konverguar të gjitha në të njëjtin mashtrim, vaksinat që mbrojnë ndaj njërit, mund të mbrojnë nga të gjithë – dhe nga çdo variant i mëvonshëm të cilit përzgjedhja natyrore i mëson të njëjtin rreng. Nëse virusi do të kishte gjetur një spektër të tërë mënyrash për të shmangur përgjigjet ekzistuese imune, gjërat do të ishin shumë më keq.
Pavarësisht nëse Eek rezulton të jetë thelbësor, mënyra të reja për zgjerimin e imunitetit janë duke ardhur. Disa prodhues të vaksinave po zhvillojnë injektime përforcuese, me qëllimin për të ndihmuar njerëzit e vaksinuar me versione të hershme të vaksinave, të përballen me variante të reja. Të tjerë janë duke zhvilluar vaksina që synojnë të funksionojnë për variante të shumta sars-cov-2 njëherësh. Më 3 shkurt, GlaxoSmithKline dhe CureVac, një kompani gjermane e bioteknologjisë me një vaksinë mARN në provat klinike të fazave të fundit, deklaroi se edhe ajo po krijonte vaksina të tilla “multivalente”.
Vaksinat e modifikuara COVID-19 nuk do të kërkohet të kalojnë nëpër prova klinike në shkallë të gjerë për të provuar efikasitetin e tyre, të paktën jo më shumë sesa kërkohet për vaksinat e përditësuara të gripit sezonal. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë, i cili pritet të vaksinojë deri në fund të verës të gjithë të rriturit që duan të vaksinohen, ka filluar të bëjë plane për një raund vaksinash përforcuese COVID-19, që kanë në shënjestër variante të reja në vjeshtë.
Mbikëqyrja e rritur mund të sigurojë dijeni paraprake për faktin se cilat variante duhet të trajtohen nga vaksinat e mëpasshme të përforcuara. Do të duhet fat, zell dhe punë e vështirë, por magjia që nisi në fillim të këtij viti, mund të zgjasë për vite me radhë.