Gjyqtarja Enkelejda Hoxha po përgatiste një tjetër lirim të bujshëm! Ndryshe nga sa u njoftua nga Prokuroria e Posaçme, Saimir Petani nuk ishte “peshku i madh” që do të fitonte sërish lirinë.
Nga qelia do të dilte Genc Ferhati, i njohur ndryshe si i forti i rrugës së Kavajës në Tiranë. Por ky i fundit, siç bën me dije edhe gazetari Elton Qyno në Facebook, u tërhoq nga kërkesa për lirim pasi çështja i ra për gjykim një tjetër magjistrateje.
Po ashtu një “udhëtim” për në burgun e Fushë Krujës prej kohësh e planifikonte edhe kapobanda i Çolës, Myrteza Çaushi, i njohur si “Zani”.
Mesa duket rruga drejt lirisë kalonte nga Fushë Kruja. Edhe Çaushi vetëm pak muaj më parë, nga Drenova, kërkoi lirimin e tij me kusht me pretendimin se ka fëmijë për të rritur, por u tërhoq vetë dhe krejt papritur.
Për të mos e çuar dëm procesin ligjor të nisur, në vend të lirisë, Çaushi kërkoi që t’i përllogaritej saktë dënimi, në mënyrë që më pas të mos ketë probleme për plotësimin e kushteve për lirim. (Shiko këtu)
Por me prangosjen e gjyqtares Hoxha, duket se shpresat e kokave të botës së krimit që dikur kanë operuar në vend, janë prerë.
Po ashtu përveç karrierës së saj, gazetari Elton Qyno konfirmon faktin se gjyqtarja Hoxha dhe avokati Aldo Tabaku ishin në një lidhje intime së bashku, duke u kthyer partnerë në profesion e “krim”, por edhe në jetë.
Gazetari ka konfirmuar kështu aludimet e kolegëve të çiftit që kanë rrëfyer se Aldo Tabaku kishte shumë ndikim tek Hoxha, për arsye që ata nuk i dinin. Mesa duket përgjigjia ka qenë romanca.