Amerikanët konfirmojnë mandatin e tretë Edi Ramës

Pa Kategori

Publikuar: 12/02/2021

Amerikanët konfirmojnë mandatin e tretë Edi Ramës

Për amerikanët nuk ka dyshime se Edi Rama do të marrë një mandat të tretë. Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka deklaruar se Edi Rama i ka dhënë fjalën se Tom Doshi nuk do të jetë pjesë e qeverisë së tij pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

Në fakt Tom Doshi, edhe sikur të dojë Rama, nuk pranon të bëhet ministër. Atij i duhet vetëm mandati i deputetit, për të mbrojtur bizneset e tij dhe për të pasur imunitet ndaj SPAK. Por, deklarata ambasadores amerikane, përçon një mesazh tjetër, që mandati i tretë i Ramës nuk diskutohet, është një çështje e mbyllur.

“Më lejoni t’i jap fund spekulimeve: KM Edi Rama dhe unë patën një bisedë të qartë se çfarë do të thotë ky emërtim. Në fakt, Kryeministri më kujtoi se ai e kishte përjashtuar personalisht këtë person nga Partia Socialiste. Ai theksoi se ky person nuk do të ketë asnjë rol në asnjë qeveri në çdo qeveri që ai do të formojë”, ka pohuar Yuri Kim.

Pas këtij mesazhi ka pasur nervozizëm tek LSI dhe PD, të cilat çuditërisht nuk po thonë asnjë fjalë për Tom Doshin, i përfshirë në listën e zezës nga SHBA për korrupsion madhor dhe që Yuri Kim kërkoi të mos kandidonte në zgjedhje.