SPAK i ka hedhur prangat gjyqtares famëkeqe të Krujës Enkelejda Hoxha, e cila ka liruar kokat e bandave në Shqipëri, të dënuar me burgim të përjetshëm. SPAK ka arrestuar sot edhe 13 persona në Gjykatën e Krujës, mes tyre kancelari i Gjykatës, kryesekretarja Ela Mallkuçi, avokati Aldo Tabaku.
Nga raportimet paraprake raportohet se të arrestuarit me në krye gjyqtaren janë të përfshirë në një skemë korruptive, për të cilat priten të mësohen më shumë detaje në ditët në vijim.
Emri i gjyqtares së Krujës Enkeleida Hoxha tashmë lidhet me lirimin nga burgu të disa të dënuarve, përmes vendimeve të dyshimta, para se ajo të përballej me Vetingun.
Enkeleida Hoxha u ka hapur dyert e burgut ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle, duke i shuar dënimin përjetë, Genc Tafilit, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari si dhe Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka paralajmëruar se vendimet e gjyqtares Hoxha do të jenë objekt verifikimi. Gjyqtarja nuk kishte asnjë pasuri në emrin e saj.