Nga sot deri 25 shkurt Shqipëria mbyllet që në orën 20:00

Pa Kategori

Publikuar: 11/02/2021

Nga sot deri 25 shkurt Shqipëria mbyllet që në orën 20:00

Nga sot, e enjte (11 shkurt), Shqipëria do të mbyllet që nga ora 20:00!

Një vendim i tillë vlen për lëvizjen e njerëzve, por edhe për baret e restorantet, të cilat janë konsideruar si vatra kryesore të përhapjes së infeksion.

Kjo ishte një nga masat e marra ditën e djeshme nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, pasi vendi ynë njohu një rritje të madhe të të infektuarve në 24 orë. Ekspertët thonë se rritja e shifrave mund të ketë ardhur si pasojë e mutacioneve të COVID, ai afrikan ose britanik, e megjithatë nuk është ende e konfirmuar zyrtarisht.

Pritet përgjigja e 50 mostrave që janë dërguar në laboratorin e Londrës.

Nisur nga fakti që ka pasur një ulje të grupmoshave të infektuara, është marrë vendimi që shkollat e mesme në 10 bashki, të zhvillohet online, e ndërsa për Universitetet do të zgjatet sezoni i provimeve, por nuk do të ketë rikthim në auditore, pavarësisht këmbënguljes së studentëve.

Kryeministri Edi Rama, ditën e djeshme tha se të gjithë duhet t’i respektojnë këto masa, përfshirë këtu edhe partitë politike, pasi nuk do të ketë asnjë tolerim.

Masat do të qëndrojnë në fuqi deri më 25 shkurt, 2 javë shumë të rëndësishme i ka cilësuar ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, pasi në varësi të tyre do të vlerësohet nëse do të ketë lehtësim ose jo në vijim.