Shkodra merr frymë lirisht. 41-vjeçari Bledar Cafi, i njohur si tmerri Shkodrës është arrestuar mbrëmë. Cafi ishte dënuar më parë për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Cafi është përmendur disa herë për ngjarje të ndryshime kriminale, kryesisht të përqëndruara në veri të vendit, në zonën e Shkodrës.
41-vjeçari Cafi është akuzuar për vrasjen e Shyqyri Mustafajt në vitin 2001, por nuk është shpallur kurrë i fajshëm pasi hetuesit nuk kanë gjetur mjaftueshëm prova për ta ndëshkuar.
Disa vite më parë, ai u prangos nga oficerët e Interpolit në Lyon të Francës, pasi ndaj tij ishte lëshuar një udhër-arresti ndërkombëtar.
Cafi akuzohej për disa vepra penale, si vrasje, përdorim armësh dhe eksplozivi në mënyrë të paligjshme, si dhe krime të tjera që ende nuk janë dokumentuar.
Megjithatë kurrë nuk u gjendën prova… Madje edhe për një vrasje që ai u dyshua si autor, në bashkëpunim me dy kushërinjtë e tij, Gani Cafi e Asllan Cafi, nuk u provua dot fajësia e tij, duke u dënuar me 14 vjet burg, vetë djali i viktimës, Fatos Mustafajn.
Fatos Mustafaj bëri 6 vjet burg, derisa Prokuroria e Përgjithshme bëri kërkesë në Gjykatën e Lartë për rishikim të vendimit të dhënë, pasi ishin mbledhur prova të reja që fajësonin kushërinjtë Cafi për vrasjen e Shyqyri Mustafajt.
Cafi u arrestua mbrëmë nga policia shqiptare me qëllim ekstradimin drejt Italisë ku dë të vijojë dënimin e tij.
Më datë 4 qershor të 2020, Gjykata e Triestes në Itali e dënoi Cafin me 4 vite dhe 2 muaj burg për trafik droge në sasi të mëdha.
Policia nuk bën me dije detaje lidhur me aktivitetin kriminal të Bledar Cafit. Ky i fundit i përket familjes Cafi në Shkodër ku pak më herët Shqiptarja.com ka zbardhur pasurinë e plotë të familjes.
Ekziston një raport i policisë së Shtetit, që bën fjalë për të kaluarën kriminale të vëllezërve Bledar dhe Gëzim Cafi në Shkodër, që të dy objekt i hetimit nga OFL-ja.
Në këtë raport thuhet se dy vëllezërit Cafi ose ndryshe Bokrri, janë të dënuar jashtë dhe brenda vendit. Por kjo nuk i ka penguar ata të ngrenë biznese në qytetin e Shkodrës.
Sipas këtij raporti, Bledar Cafi ose Bokrri, i arrestuar në Francë dhe ekstraduar në Shqipëri si pjesëmarrës në një vrasje rezulton të ketë ngritur biznese në Shqipëri, si Bar-Kafe, një kompani peshkimi në lumin Buna dhe një njësi tregtare të produkteve me shumicë dhe pakicë në Shkodër.
Sipas raportit të policisë njësia tregtare është hapur në datën 6 prill 2018 në lagjen “Salo Halili” në Shkodër. Objekti i kësaj njësie tregtare është “Tregtim i artikujve ushqimorë me shumicë dhe pakicë”.
Cafi dyshohet se e ka fshehur pasurinë, duke e kaluar në emra të tjerë.
Megjithatë pasi drejtësia shqiptare nuk bëri asgjë për ta vendosur pas prangave një prej personazheve më të rëndësishëm të botës së krimit, homologët italianë nuk kanë harruar detyrën! Ata kanë kërkuar ekstradimin e tij, pasi Cafi akuzohet për pjesëmarrje në organizata kriminale.