Prapaskena

“Ndeshje perfekte”, Conte elozhe lojtarëve, tërbohet Pirlo: “Nuk mund të bënim keq se kaq”

Publikuar: 18/01/2021

Antonio Conte shijon fitoren e parë si trajner përballe Juventusit, një sukses që erdhi pas një ndeshje ku e dominuan totalisht kundërshtarin: “Për të mposhtur një skuadër të fortë si Juve që është model referimi duhet të zhvillosh një ndeshje thuajse perfekte dhe e bëmë diçka të tillë.

E përgatitëm mirë këtë sfidë dhe punuam në disa gjëra ku mendonim se mund ti bënim keq Juves, e bëmë mirë këtë. Jam shumë i lumtur për djemtë pasi këto janë ndeshje që të mbushim me vetëbesim dhe të bëjnë të kuptosh që kjo është rruga e duhur për të arritur gjera të rëndësishme”, u shpreh Conte në konferencë për shtyp.

I ndryshëm diskutimi në kampin e “Zonjës së Vjetër”, kjo humbje e rëndë ka bërë që Andrea Pirlo të mos përdor lojëra fjalësh: “Gabuam në sjellje që në minutat e para. Nëse nuk ke vendosmëri dhe agresivitet për të fituar duelet gjithçka bëhet shumë e vështirë.

Ne as që u futëm në lojë dhe ishim shumë pasiv. Kjo ishte një humbje e rëndë që nuk e prisnim. Nuk mund të bënim një ndeshje më të keqe se kaq, por tani duhet të mendojmë për Superkupën, të mërkurën na pret një finale”, theksoi Pirlo.



Më të lexuarat