Ndërsa vendet në të gjithë botën po shpërndajnë miliona vaksina të koronavirusit, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dha një paralajmërim për drejtësinë e situatës globale.
“Bota është në prag të një dështimi moral katastrofik” në shpërndarjen e vaksinave kundër Covid-19, tha të hënën Drejtori i Përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke shtuar se “premtimi i një aksesi të barabartë është në rrezik serioz”.
“Më shumë se 39 milion doza të vaksinave janë administruar tani në të paktën 49 vende me të ardhura më të larta. Vetëm 25 doza janë dhënë në një vend me të ardhura më të ulëta. Jo 25 milion, jo 25 mijë, vetëm 25”, tha Tedros.
“Duhet të jem i prerë … çmimi i këtij dështimi do të paguhet me jetë në vendet më të varfra të botës,” shtoi ai.
“Në fund të fundit, këto veprime vetëm do të zgjasin pandeminë, kufizimet e nevojshme për ta përmbajtur atë dhe vuajtjet njerëzore dhe ekonomike”, tha Tedros
Shefi i OBSH shtoi se “barazia e vaksinave nuk është vetëm një domosdoshmëri morale, është një domosdoshmëri strategjike dhe ekonomike”, dhe bëri thirrje për një shpërndarje më të drejtë të vaksinave në të gjithë botën.