Prapaskena

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zhvillojnë mbledhjen e parë, ja çështjet “e nxehta” që do të shqyrtohen

Publikuar: 07/01/2021

Pas ngritjes së Gjykatës Kushtetuese, shtatë gjyqtarët janë mbledhur sot që prej orës 10 të mëngjesit. Kjo është mbledhja e parë e Gjykatës Kushtetuese që pas emërimit të 7 gjyqtarëve.

Gjyqtarët kushtetues kanë në rend dite caktimin e seancave gjyqësore si dhe procedurat për caktimin e kryetarit.
Ashtu siç Top Channel ka raportuar më herët janë 25 çështje të bëra gati, që do të shqyrtohen nga 7 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Më e rëndësishmja e të cilave është padia e shoqatës së bashkive, që kërkojnë shpalljen si antikushtetuese të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, të cilat në atë kohë u kthyen në një front grindjesh politike.

Gjyqtarët kushtetues do të testohen edhe me ankesa si ajo e kryeministrit kundër presidentit Ilir Meta, i cili pasi refuzoi të dekretonte Gent Cakajn si ministër të Jashtëm, u padit në Gjykatën Kushtetuese nga kreu i qeverisë, që kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave dhe interpretim të nenit 1 të Kushtetutës. Dosje të nxehta e presin Kushtetuesen edhe për dy padi të presidentit Meta me emrin Teatri Kombëtar.

Në njërën prej tyre kërkohet shpallja e papajtueshme e projektit urban të godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe në tjetrën kundërshtohet një vendim i 8 majit 2020, në të cilën Teatri Kombëtar i kaloi bashkisë dhe tjetra gjithashtu, edhe çështja e pronave, sipas padisë së shoqatës kombëtare “Pronësi dhe Drejtësi”.

Që nga viti 1992 kur dhe u krijua, në Gjykatën Kushtetuese janë trajtuar parime të rëndësishme duke nisur nga shpallja si antikushtetues të ligjit për dënimin me vdekje, ligji i lustracionit, deti, vettingu e kthimi dhe kompensimi i pronave.

Veç dosjeve që e presin , ku kërkohet garantimi i të drejtave të qytetarëve, për Gjykatën e re Kushteuese ka dhe një provim tjetër ndaj palëve, qofshin politike ose jo.

Ligji kërkon nëntë gjyqtarë kushtetues, tre prej të cilëve duhet të vijnë nga Gjykata e Lartë, që ende nuk e ka numrin e duhur për të thirrur mbledhjen e përgjithshme dhe kjo do të thotë se dikush duhet të shpejtojë ritmin për të krijuar numrat e duhur për në Gjykatën Supreme.



Më të lexuarat