Prapaskena

Firmosen marrëveshjet/ Erdogan pret Ramën: Shqiptarët janë vëllezërit tanë, do bashkëpunojmë në shumë fusha

Publikuar: 06/01/2021

Kryeministri Edi Rama dhe një delegacion i gjerë qeveritar që e shoqëron, kanë nisur sot vizitën zyrtare dyditore në Turqi, me ftesë të Presidentit Erdogan.

Kryeministri shoqërohet në këtë vizitë nga ministri Punëve të Brendshme Bledi, Çuçi, ajo e transporteve dhe infrastrukturës Belinda Balluku, ministria e arsimit Evis Kushi, zëvendës ministri punëve të jashtme Gent Tare si dhe drejtori policisë së shtetit Ardi Veliu.

Në takime janë firmosur një sërë marrëveshjesh.

Mes dy vendeve është krijuar Këshilli i Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë dhe tashmë dy vendet e shohin njëri-tjetrin si partner strategjik.

Ndërkohë janë nënshkruar 4 marrëveshje mes dy vendeve. Marrëveshjet parashikojnë ndërtimin e spitalit të Fierit, restaurimi i Xhamisë së Plumbit në Shkodër, bashkëpunimi mes Universitetit New York që është në pronësi të Fondacionit Marif me Universitetin e Stambollit.

Në një konferencë të përbashkët, Presidenti turk Erdogan tha se Shqipëria dhe Turqia janë dy vende mike, dhe shqiptarët janë vëllezërit tanë siç u shpreh ai.

“Unë jam shumë i kënaqur që pres Ramën dhe delegacionin e tij, dëshiroj që t’i uroj mirëseardhjen në Turqi, Shqipëria është një mik dhe vëlla, kemi luftuar së bashku dhe kemi lënë gjurmë në histori, jemi dy popuj vëllezër.

Gjurmët tona mund të shihen në shumë fusha, dhe qytete si Elbasan , Korçë e Vlorë.

Ne e konsiderojmë detyrë që ta forcojmë akoma më shumë lidhjen tonë, me Ramën kemi folur për të forcuar bashkëpunimin, i ngritëm marrëdhëniet në nivelin e partnerit strategjik.

Në takimet tona me Ramën përveç çështjeve bilaterale diskutuam dhe çështjet e tjera rajonale, kulturore e shumë të tjera.

Shqipëria sapo ka përfunduar presidencën e OSBE me sukses. Shqipëria përjetoi dy tërmete të mëdha, dhe pas çdo tërmeti vrapuam në ndihmë të tyre, me ekipet e shpëtimit dhe mjete të tjera. Vendosëm të ndërtojmë 540 njësi banimi. Shpresojmë që të përfundojë ndërtimi në gusht 2021, besoj që do jetë simbol i fatit të ri mes dy vendeve.

Ne folëm dhe për marrëdhëniet ekonomike, jemi investitori më i madh i huaj në Shqipëri, më shumë se 600 kompani turke sigurojnë punësim për 15 mijë vëllezër shqiptar dhe ne planifikojmë që të rrisim më tej investimet tona.

Ne i kushtojmë rëndësi ruajtjes së objekteve nga periudha osmane, ministrat tanë të kulturës sapo nënshkruam marrëveshjen për restaurimin e një objekti historik në Shkodër.

Një pikë tjetër ishte lufta kundër terrorizmit, ne s’do lejojmë që Feto të helmojë marrëdhëniet tona. Me këto mendime uroj që zgjedhjet të jenë të dobishme për Shqipërinë dhe popullin shqiptar”, tha Erdogan.

Gjatë konferencës së përbashkët me Presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan, kryeministri Edi Rama i shprehu mirënjohjen atij për gatishmërinë dhe ndihmën e ofruar në momentet kur Shqipëria kishte më shumë nevojë, si në momentin e tërmetit të 26 nëntorit si dhe gjatë pandemisë.

Gjithashtu ai shprehu mirënjohjen për ndihmën që Turqia i ka dhënë Shqipërisë në momentetet ku shumë shtete të tjera i kthyen shpinën, gjatë periudhës së pandemisë.

“Në këtë mikpritje të gjithë sëbashku si delegacion nga Shqipëria mundëm të konstatojmë shprehjen e një vullneti të fortë për të hapur një kapitull të ri mes 2 qeverive. Jam mirënjohës Presidentit për bashkëbisedimin kokë më kokë, dhe kohën që i dedikoi disa çështjeve.

Dua ta shpreh mirënjohjen për të dhe për popullin turk për reagimin e menjëhershëm të Turqisë që i erdhën pranë familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Presidenti Erdogan ishte i pari që u angazhua për t’u përfshirë në procesin e rindërtimit dhe i hapi rrugë një procesi përfshirjeje të një sërë vendesh dhe bën të mundur mbledhjen e ndihmave për Shqipërinë. Solidariteti i Turqisë nuk ka qenë një solidaritet i shprehur vetëm në momentin kur Turqia ka pasur një problem të vetin.

Por edhe kur Turqia si e gjithë bota u prek nga COVID, Turqia i qëndroi pranë Shqipërisë. Jo si disa vende të tjera që ndaluan dhe kalimin e ndihmave për ata persona që kishin nevojë. Një nga temat e diskutimit ka qenë bashkëpunimi mes dy vendeve në të gjithë procesin e kësaj lufte të madhe me këtë armik të padukshëm.

Besoj që sjellja e Turqisë ndaj nesh dhe qasja e Presidentit Erdogan, në situata vështirësie, janë mishërimi i asaj fjalës së Kemal Ataturkut, i cili thoshte se njerëzimi është një trup i vetëm. Edhe pse Turqia u përball me tërmete dhe problemet e veta, kjo nuk e bëri të ndalet për asnjë sekond.

Solidarizimi ndaj ngjarjeve të tilla prezantojnë esencën e humanizmit që është në themel të kësaj marrëdhënie. Jam krenar që nënshkruaj në emër të Shqipërisë deklaratën për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë. Kjo e ngre partneritetin tonë në stadin e një marrëdhënieje institucionale.

Vlera më e madhe që shoh është gatishmëria për të ngritur grupe të përbashkëta duke kapërcyer të gjitha pengesat mes 2 shteteve duke funksionuar si një organizëm”, tha Rama.



Më të lexuarat