Presidenti i Republikës Ilir Meta ka folur për raportet e tij me Fatos Nanon dhe arsyet e ndarjes së tyre.
“Nuk mendoj se ka qenë çështje e raporteve personale. Gjithmonë kemi bashkëpunuar, apo kemi pasur debate për çështje të ndryshme. Unë besojë se në fund të ditës sjellja ime ndaj tij, si ndaj gjithë të tjerëve ka qenë shumë korrekte.
Unë e kam bërë të qartë këtë gjë, thyerja jonë erdhi për arsye sepse Nano për arsye nga më të ndryshmet, nuk besoj që sot këtu është vendi për t’i analizuar, humbi përkushtimin që duhej për integrimin europian të vendit.
Ne bëmë një marrëveshje, ai u bë Kryeministër, kurse unë Zv/Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm.
Presidentin vendosëm t’ia jepnim, ose ta vendosnim me Partinë Demokratike. Pikërisht, për të zhbllokuar atë ngërç që u krijua për çështjen e integrimit të vendit dhe për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe unë do të ndiqja marrëveshjen.
Por, sapo marrëveshja u hap mbas kësaj zgjidhje që u bë, ku kuptohet, që unë mendoj se luajta rol kryesor, qeveria nuk po përmbushte ato angazhimet që duhet të përmbushte, për sa i takonte integrimit europian të vendit, nuk po bënte ato reforma që duhet të bënte.
Takimi fundit me Nanon? Nuk mendoj se ishte shumë i tensionuar, pasi unë kam qenë i qartë në mënyrë të vazhdueshme për gjërat që duhet të bëheshin.
Marrëveshje me të? E di, por kjo do të penalizonte integrimin europian të Shqipërisë.
Ishte paralajmëruar qartë në një rezolutë nga Parlamenti Europian, se zgjedhja e Presidentit nga mazhoranca në mënyrë të njëanshme, për shkak të Dushkut, do penalizonte integrimin e Shqipërisë.
Ju, e mbani mend do të ishte një problem serioz i legjitimitetit të këtij institucioni nga Bashkimi Europian. Sepse ishte prekur, ishte bërë një faull, për të cilin mazhoranca do të merrte përgjegjësit e saj.
Një karakterizim për figurën e Nanos? Nuk do të dëshiroja të bëja një vlerësim të tillë, sepse mund të akuzohesha dhe për konflikt interesi.
Në kuptimin që është një figurë politike me të cilin kemi pasur raporte të ndryshme, apo dhe debate.
Unë mendoj, që nëse ai do të kishte pasur më shumë vullnet dhe do të kishte dashur t’i dëgjonte të vërtetat më shumë, padyshim, që do të kishte pasur një kontribut shumë herë më të madh në historinë e vendit. Shqipëria sot do të ishte në një situatë krejt tjetër, në raport të paktën me Bashkimin Europian. Është i padiskutueshëm roli i tij në hapjen e Partisë Socialiste në vitet e para…!
Edhe në qëndresën që ka mbajtur gjatë periudhës të burgut politik, edhe me mbrapa ka bërë përpjekje pozitive për të ndihmuar në zgjidhjet politike, kanë qenë vitet të vështira. Por, mendoj që në vitin 2004 dhe në vitin 2005, u dha tërësisht mbas pushtetit dhe ky besoj ishte gabimi i tij kryesor” – tha Meta në Opinion.