Jo vetëm pasojat e tërmetit dhe pandemia covid-19, por edhe krimi ka doninuar 2020, duke e kthyer në një vit të zi. 57 krime të rënda me 67 viktima janë shënuar gjatë 2020.
Më bujshmja është vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha, pasi krimi u krye nga një punonjës policie, 31 vjeçari Nevaldo Hajdaraj. Ngjarja u pasua nga protesta të dhunshme që u politizuan shumë shpejt, ndërsa Hajdaraj akuzohet për vrasje dhe rrezikon deri në 25 vjet burg.
Përplasjet mes grupeve në Rrëshen kanë prodhuar viktima edhe në 2020.
Mëngjesin e 7 janarit, në qendër të qytetit të vogël të Rrëshenit u ekzekutua me një plumb në zemër Kastriot Reçi në sy të një fëmije të mitur.
Ngjarja nuk është zbardhur akoma. Kurse hakmarrja me fisin Gjini po në Rrëshen vazhdon.
Eleminimi i Kastriot Reçit, pasoi me një tjetër atentat, tashmë të zhvendosur në kryeqytet. Pasditen e vonë të 15 shtatorit, kryeqyteti u trondit nga një shpërthim i fuqishëm. Persona ende të paidentifikuar, sot e asaj dite, kishin vendosur lëndë plasëse në mjetin me të cilën udhëtonte Preng Gjini. Për pasojë ai mori plagë të rënda në trup, ndërsa dy kalimtarë të rastit mbetën të dëmtuar.
Fiks tre muaj pas atentatit të Preng Gjinit në Tiranë, Rrësheni do të tronditej sërish. Në pasditen e 15 dhjetorit u qëllua në drejtim të 50-vjeçarit Anton Keli, kushëri i Preng dhe Armando Gjinit. Ky i fundit i ekzekutuar në verën e 2019-ës. Dyshohet se autorët po e ruanin dhe 51-vjeçari u qëllua duke zbritur nga makina. Keli humbi jetën nga plagët.
Më 17 janar, në Kamëz u rrëmbye Jan Prenga. Pas javë hetimesh, policia tha zyrtarisht se ai ishte vrarë. Në kërkim, si autor kryesor vijon të mbetet Altin Hajri, që sipas policisë ishte porositur nga një tjetër grup kriminal që merrej me trafikun e drogërave të forta. Jan Prenga u fsheh fillimisht në kompleksin “Golden” në Shijak, ndërsa trupi i pajetë i tij nuk është gjetur ende.
Në 11 qershor, në zonën e “Komunës së Parisit”, u ekzekutua brenda automjetit të tij, Hekuran Billa. Nuk kaluan shumë ditë, kur policia zyrtarizoi arrestimin e autorëve të dyshuar.
Viktor Marku, bashkë me nipin Sebastian Mali, mori hakun e të vëllait, Prel Markut. Ky i fundit ishte vrarë në Angli në 2006-ën nga Hekuran Billa. Për krimin, Billa ishte dënuar përjetë, por më pas përfitoi nga gjykimi i shkurtuar.
Në 22 dhe 29 korrik u ekzekutuan Emiljano Ramazani dhe Regis Runaj në Elbasan. Të dy ngjarjet kishin lidhje me njëra-tjetrën. Policia arrestoi dy autorët e dyshuar si vrasës me pagesë. Ndërsa si porositës të tyre, prangosën Erion Alibejn, për të cilin dyshohet se është edhe organizator në vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, në mëngjesin e 17 shtatorit po të këtij viti. Edhe kjo ngjarje dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje mes grupeve kriminale të qytetit të Elbasanit.
Qyteti i Durrësit nuk do të ishte aspak i qetë edhe përgjatë këtij viti. Në mesin e ngjarjeve kriminale është edhe atentati ndaj dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhia.
Në këtë vrasje të dyfishtë, një nga dy autorët e arrestuar bashkëpunoi me drejtësinë. Ai u tha hetuesve emrat e personave që kishin porositur krimin apo kush kishte dijeni për të. Mes tyre ishte edhe emri i Talo Çelës.
Talo Çelën policia e kishte në kërkim si një nga autorët e grabitjes së miliona eurove brenda pistët së aeroportit të Rinasit më 9 prill të vitit 2019. Pavarësisht kërkimeve nga policia, Talo Çela akoma nuk është lokalizuar, ndërsa për çdo informacion në lidhje me vendndodhjen e tij policia ka vënë në dispozicion 10 mijë euro. Deri tani, asnjë telefonatë!
Ky vit ka regjistruar të vetmen vrasje zyrtarisht për kanabisin. Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj u shpallën të zhdukur, ndërsa trupat e tyre të pajetë u gjetën pas pesë ditë kërkimesh në datën 8 tetor në një zonë malore në Malësi të Madhe.
Vilson Çutaj u qëllua pas koke me një plumb nga një distancë prej 3 apo 4 metra, duke mbetur i vdekur në vend. Danjel Pepaj, autori i vrasjes ka qëlluar me një plumb pas shpine edhe kushëririn e tij Klement Pepaj, duke e lënë gjithashtu të vdekur në vend. Autori Danjel Pepaj vijon të jetë në kërkim nga policia, ndërsa deri tani nuk është lokalizuar.
Dy viktimat dhe autori dyshohet se janë konfliktuar për shkak të vjedhjes së një sasie lënde narkotike të llojit kanabis sativa.
Pavarësisht një qetësimi të situatës përgjatë muajve të karantinës në prill, maj dhe qershor, krimi u rikthye sërish më të njëjtat përmasa në muajt në vazhdim.
Vetëm përgjatë muajit dhjetor janë regjistruar nëntë ngjarje kriminale, të cilat kanë prodhuar 10 viktima.
Në mesin e tyre, përveç Klodian Rashës është edhe efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, Xhulio Prela. 26-vjeçari po kthehej nga Shkodra në orët e para të mëngjesit të 5 dhjetorit, ku u ekzekutua me një tek plumb në gjoks.
Ngjarja është zbardhur, në pranga është vënë një person dhe ka edhe të tjerë të dyshuar që janë në kërkim. Gjithçka mendohet të ketë ndodhur për një konflikt çasti, të shkaktuar nga dritat e gjata të makinës.
Viti 2020 ka regjistruar një numër të konsiderueshëm edhe të rasteve të krimit brenda familjes, apo për motive të dobëta. Një ngjarje që kalonte përmasat e çdo imagjinate ishte ajo e ekzekutimit të Firdez Çekiçit nga i biri, Olsi Çekiçi. 44-vjeçari, i cili vuante nga probleme mendore dhe ishte përdorues i lëndëve narkotike i preu kokën të ëmës. Ngjarja horror ndodhi në fshatin Buçimas të Pogradecit.
Armët nuk pushuan as në tre muajit e karantinës së Covid-19. Edhe pse pati ulje të shifrave të krimit, në tre muaj u prodhuan 11 viktima. Beteja ishte e ndezur!