Pas miratimit të procedurës së përshpejtuar për shqyrtimin e projektligjit për huanë prej 302 milionë dollarësh nga SHBA për pajisje ushtarake, deputetëve u është vënë në dispozicion një kopje e marrëveshjes për ta lexuar përpara seancës së radhës, e parashikuar sot në orën 15:00. Dokumenti, i cili sipas procedurave konsiderohet i klasifikuar, është vendosur në dispozicion të të gjithë deputetëve. Për ta konsultuar, deputetët duhet të firmosin deklaratën e konfidencialitetit, në përputhje me rregullat për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara.
Por në një video të publikuar nga ambientet e Kuvendit, shihet se deputeti Agron Shehaj ka hyrë në sallën ku ndodhej kopja e marrëveshjes, e ka marrë atë dhe është larguar me shpejtësi pavarësisht thirrjeve për të ndaluar. Menjëherë pas ngjarjes së pazakontë, socialistët janë vënë në lëvizje, teksa dyshojnë se Shehaj mund t’ua japë marrëveshjen sekrete me SHBA qarqeve ruse ose serbe.

Grupi parlamentar socialist i kanë kërkuar menjëherë përmes një shkrese kreut të Kuvendit Niko Peleshi nisjen e procedurave për marrjen e masës disiplinore ndaj Agron Shehajt si dhe referimin e tij në SPAK. Socialistët kërkojnë përjashtimin me 60 ditë të Shehajt nga Kuvendi për sjellje të përsëritura të dhunshme, si dhe referimin e tij në SPAK për vjedhje të informacionit të klasifikuar.

Sipas burimeve, krerët e partisë në pushtet kanë informuar edhe përfaqësuesit e Shërbimit Informativ të Ushtrisë dhe SHISH duke ngritur dyshime të forta se Agron Shehaj mund të jetë spiun i shërbimeve jo partnere. Socialistët dyshojnë se Shehaj e ka fotografuar marrëveshjen ushtarake sekrete me SHBA dhe ua ka nisur subjekteve të tjera të paidentifikuara.
