VIDEO/ Momenti kur Shehaj ‘vjedh’ marrëveshjen me SHBA-në, sekretarja “fluturon” nga shkallët

Aktualitet

Publikuar: 27/07/2026

VIDEO/ Momenti kur Shehaj ‘vjedh’ marrëveshjen me SHBA-në, sekretarja “fluturon” nga shkallët

Janë publikuar pamjet e momentit kur Agron Shehaj, merr kopjen e marrëveshjes konfidenciale për huanë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara dhe largohet me vrap nga ambientet e Kuvendit.

Siç mund të shihet dhe në videon e publikuar në mediat, Shehaj merr dokumentin dhe largohet me vrap, ndërsa në ndjekje të tij është vënë një sekretare e Kuvendit, e cila për pasojë është rrëzuar nga shkallët.

Siç mund të shihet në videon më poshtë, në ndihmë i kanë ardhur deputetë dhe të pranishëm në ambjentet e Kuvendit.

Ndërkohë vetë Shehaj, pas episodit në Kuvend, ka deklaruar për mediat se mori dokumentin pasi kishte firmosur deklaratën e konfidencialitetit.

Sipas tij, ai e mori dokumentin për ta lexuar dhe pasi u njoh me përmbajtjen e tij e riktheu sërish në zyrën ku ishte vendosur.

Sipas tij, marrëveshja është një dokument sekret dhe se nuk kishte qëllim ta publikonte apo ta nxirrte jashtë.

“Në lidhje me lajmet që kanë dalë mbi dokumentin e marrëveshjes, thjesht e keni parë vetë që kryeparlamentari u tha deputetëve që po ankoheshin se mund ta gjenin te zyra këtu afër. Nuk tha që nuk mund ta marrësh. Unë shkova, firmosa dokumentin për mospërndarjen e marrëveshjes dhe u largova. Ne na kërkojnë shumë gjëra në Kuvend, madje na kërkojnë të mos shkojmë kur është Rama. Marrëveshjen e dorëzova sërish aty ku e mora. Marrëveshja nuk ka dalë nga Kuvendi i Shqipërisë. E mora sepse më takonte. Ajo është një marrëveshje sekrete dhe nuk jam i autorizuar të jap detaje.”, është shprehur Shehaj.

Ndërkohë, lidhur me këtë zhvillim, Partia Socialiste ka kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj Shehaj dhe referimin e çështjes pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

PS kërkon që ndaj Shehajt të merret masa e përjashtimit nga pjesëmarrja në komisione dhe seanca plenare për 60 ditë.

Ditën e nesërme do të mblidhet Sekretariati i Etikës për të shqyrtuar kërkesën e PS-së.