Një 26-vjeçar tunizian pa leje qëndrimi në Itali është arrestuar si autori i dyshuar i vrasjes së gazetarit Luigi “Luca” Esposito, sipas informacioneve të publikuara nga mediat italiane.
I dyshuari, i identifikuar si Ridha Rahmoumi, u lokalizua nga karabinierët në një shtëpi të braktisur. Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën në posedim të tij kartat e kreditit të gazetarit të vrarë. Sipas raportimeve, pasi u përball me provat, 26-vjeçari ka pranuar autorësinë e krimit.
Pas arrestimit ka reaguar edhe zëvendëskryeministri dhe ministri italian i Transportit, Matteo Salvini. Në një postim në rrjetin social X, ai falënderoi forcat e rendit për kapjen e shpejtë të autorit të dyshuar.
“Faleminderit forcave të rendit për kapjen e shpejtë të këtij vrasësi. Tani le të vuajë dënimin në vendin e tij, jo këtu në kurriz të italianëve”, shkroi Salvini.
Politikani i Lega-s e përdori ngjarjen edhe për të përsëritur kërkesën e partisë së tij për shtimin e pranisë ushtarake në qytetet italiane. “Është urgjente që, siç propozon prej kohësh Lega, të vendosen mijëra ushtarakë për të mbrojtur qytetet tona. Asnjë qytetar i ndershëm nuk duhet të ketë frikë nga prania e grave dhe burrave me uniformë kudo”, deklaroi ai.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes së gazetarit Luca Esposito vijojnë.
Çfarë ndodhi?
Gazetari sportiv u gjet i vrarë dhe i djegur në një zonë bujqësore në Eboli, pranë Salernos, në jug të Italisë. Luigi Esposito, 53 vjeç, ishte punonjës i Agjencisë Rajonale të Mjedisit dhe bashkëpunëtor i disa mediave lokale.
Trupi i karbonizuar u zbulua nga zjarrfikësit gjatë shuarjes së një zjarri në shkurre. Fillimisht, për shkak të dëmtimeve të rënda nga flakët, identifikimi ishte i pamundur. Hetimet morën drejtim tjetër pasi pranë vendit të ngjarjes u gjet automjeti i viktimës.
Sipas hetuesve, Esposito dyshohet se është qëlluar me armë zjarri dhe më pas trupit i është vënë flaka. Në vendngjarje karabinierët gjetën disa gëzhoja, ndërsa autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes dhe rrethanat e krimit.
Luca Esposito ishte i njohur në botën e sportit si bashkëpunëtor i gazetës La Città di Salerno, televizionit Ottochannel dhe themelues i portalit sportiv Tuttosalernitana.com. Ai kishte diplomë në biologji dhe një diplomë të dytë në letërsi.
Prokuroria e Salernos, nën drejtimin e Raffaele Cantone, ka nisur hetimet dhe po shqyrton të gjitha pistat për të zbuluar autorët dhe motivin e vrasjes.