Nga Minella Aleksi
Ka raste kur një vendim gjyqësor nuk të trondit nga përgjigjja që jep.
Të trondit nga pyetja që refuzon të dëgjojë. Në rastin e kryebashkiakut Veliaj, gjykata nuk tha se emërimi i funksionarit Dado ishte i ligjshëm. Nuk tha as se ishte i paligjshëm. Ajo zgjodhi rrugën më të rehatshme: të mos e shqyrtojë fare çështjen, me arsyetimin se Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe Bashkia nuk kanë interes të ligjshëm të kërkojnë kontrollin e ligjshmërisë së emërimit të personit që ka ushtruar kompetenca drejtpërdrejt mbi ta. Po kush është subjekti ideal me “interes të ligjshëm” që duhet të ankohet? Ai që nuk është prekur? Ndoshta ai që nuk është përgjuar? Ndoshts ai që nuk është kontrolluar? Apo ai që nuk është arrestuar?
Një pyetje që nuk kërkon zgjuarsi për t’u bërë, por ndershmëri për t’iu përgjigjur është:
Nëse jo viktima e drejtpërdrejtë e ushtrimit të pushtetit, atëherë kush, dreqi e mori? Padyshim që në këtë moment, koncepti i “interesit të ligjshëm” pushon së qeni një kriter juridik dhe shndërrohet në një derë rrotulluese në hyrje të ndërtesës. Sa herë që qytetari afrohet për të kërkuar kontrollin e ligjshmërisë, dera rrotullohet aq shpejt sa ai mbetet gjithmonë jashtë. Nëse ky arsyetim do të zbatohej jashtë sallës së gjyqit, do të ishte materiali më i mirë për teatër absurd, jo për jurisprudencë. P.sh. një pacient ankohet se është operuar nga një kirurg pa licencë. Përgjigja e drejtorit të spitalit: ju nuk keni “interes të ligjshëm” të kërkoni verifikimin e liçencës së kirurgut. Ose një pasagjer zbulon se avioni është drejtuar nga një pilot pa liçencëë. Përgjigja e kompanisë: nuk ju takon ju të vini në diskutim statusin e pilotit. Kjo nuk është thjesht kontradiktë. Është përmbysje e logjikës së shtetit të së drejtës.
Sepse, e drejta për të kundërshtuar ushtrimin e pushtetit nuk ekziston për të mbrojtur pushtetin nga qytetari. Ajo ekziston për të mbrojtur qytetarin nga pushteti. Përpara se të gjykohet nëse një vendim ishte i drejtë apo i gabuar, duhet marrë përgjigje për një pyetje edhe më themelore: A e kishte autori i atij vendimi kompetencën ligjore që pretendonte?
Vetëm pasi merr përgjigje kjo pyetje, vazhdohet me analizën e meritës.
Në vëndet demokratike funksionon parimi se, pretendimet mbi ligjshmërinë e emërimit të personit që ka ushtruar autoritet ndaj një individi, janë të shqyrtueshme në themel. Nëse kjo situatë do ndodhte mbi gjyqtarët të cilët ishin ngarkuar të zhvillonin këtë gjyq, çfarë do ishte reagimi i tyre? Le ta shtjellojmë këtë teori në një skenar krejtësisht hipotetik.
Të imagjinojmë se nesër dikush hyn në shtëpinë e një gjyqtari, kontrollon sendet personale, sekuestron kompjuterin, i kufizon lirinë, e vendos nën përgjim dhe më pas del se, personi që ka firmosur këto masa detyruese ose shtrenguese, nuk e ka të fituar ligjërisht statusin për t’i ushtruar ato.
Gjyqtari troket në derën e gjykatës dhe kërkon vetëm një gjë: Të verifikohet nëse personi që ndërhyri në të drejtat e tija kishte kompetencën ligjore. Përgjigjja:”Ju nuk keni interes të ligjshëm të kërkoni verifikimin e kompetencës së personit që ndërhyri në të drejtat tuaja”.
A do ta quanin këtë fitore të proçeduralizmit?
A do të thoshin se kjo është një arritje e shtetit të së drejtës?
Apo, papritur, do të zbulonin se, interesi i ligjshëm paska një kuptim shumë konkret kur troket në derën e shtëpisë së tyre?
Është gjithmonë më e lehtë të relativizosh një shkelje, kur ajo prek dikë tjetër. Ligji lehtësisht bëhet elastik, kompetenca bëhet “detaj”, proçedura bëhet strehë mëkatarësh. Por sapo e njëjta logjikë troket në derën tënde, llastiku këputet.
Ka humbur peshën kuptimi i kontrollit gjyqësor, si garancia e fundit kundër ushtrimit arbitrar të pushtetit. Skandali nuk është gabimi. Skandali është arroganca pas gabimit. Drejtësia është bërë si një kështjellë ku rojet nuk kontrollohen. Çfarë e bën këtë çështje të duket si një arkë me shumë dryna? A është kompleksiteti i ligjit? A janë kufijtë proçedurialë? Apo është krijuar një distancë aq e madhe mes qytetarit dhe mekanizmit të drejtësisë, sa edhe pyetja më themelore – a është i ligjshëm ushtrimi i një pushteti – humbet rrugën përpara se të arrijë te përgjigjja?
Drejtësia nuk duhet të ketë frikë nga çelësat. Përkundrazi, sa më i rëndësishëm të jetë një autoritet, aq më e madhe duhet të jetë gatishmëria për t’u kontrolluar. Sepse një prokuror nuk fiton besueshmëri duke qenë përtej pyetjeve; e fiton duke i përballuar ato.
Një institucion që thotë “besomëni” pa lejuar verifikimin, kërkon besim si privilegj. Por në një shtet të së drejtës, besimi nuk kërkohet; fitohet.
Dhe çdo dryn shtesë që vendoset mbi një pyetje të ligjshme nuk e bën arkën më të sigurt. Mund ta bëjë publikun të pyesë nëse brenda ka vërtet një “thesar” që duhet mbrojtur, apo thjesht një boshllëk që askush nuk dëshiron ta shohë.
Sepse drejtësia ka një rregull të thjeshtë: e vërteta nuk trëmbet nga drita. Vetëm errësira ka nevojë për shumë dryna.
Kur mungon bindja e arsyetimit, toga e gjyqtarit mbetet simbol dhune institucionale; nuk bëhet kurrë simbol drejtësie. Peshorja e drejtësisë mbetet dekorative, e ekuilibruar, pa peshën e pyetjeve.