Reforma e re territoriale pritet të sjellë vetëm ndryshime të lehta dhe jo drastike, me qëllim rritjen e performancës dhe vendimmarrjes së bashkive me nivel të ulët efikasiteti.
E ftuar në Abc News, deputetja e PS-së, Aulona Bylykbashi, bëri me dije se po diskutohet bashkimi i Prrenjasit me Librazhdin, por vendimmarrja e përbashkët do të zyrtarizohet të enjten.
Ndërkohë, njësitë administrative do të fuqizohen duke marrë më shumë kompetenca. Për sa i përket kryeqytetit, Bylykbashi theksoi se Tirana, si modeli i vendit, do të trajtohet përmes një projekti dhe vëmendjeje të veçantë.“Do të kalojmë në vlerësimin dhe në një rishikim të të gjitha funksioneve. Është një opsion që po diskutohet për bashkimin e Prrenjasit me Librazhdin, plotësojnë të gjitha kriteret. Megjithatë duhet të presin deri të enjten.
Do të jetë një vendimmarrje e përbashkët. Nuk do të ketë ndryshime drastike, do të jenë ndryshime të lehta, që do të bëjnë që bashkitë që kanë dalë me një nivel të ulët të perfomancës të kenë një nivel më të lartë dhe të jenë të afta për të marrë vendime.
Njësitë administrative është një strukturë e cila do të fuqizohet, që do i kalojnë më shumë kompetenca. Tirana është kryeqyteti i Shqipëri, ka një vëmendje të veçantë dhe ka një model të veçantë sepse është modeli i vendit. Do të ketë një projekt të posaçëm”, tha Bylykbashi.